Shqipëria

Kushi: Mundësi të barabarta për të gjithë studentët që duan të studiojnë në Universitete


Gjatë mbledhjes së përbashkët mes Qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të hënën e 20 qershorit ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, u ndal te marrëveshja për studentëve e të dy vendeve.

“Ne sot u japim mundësi të barabarta të gjithë të rinjve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria për të konkurruar në Universitete”, tha ministrja.

Sipas saj, çdo i ri që ka një diplomë të shkollës së mesme, mund të ndjekë studimet në çdo Universitet në dy vendet.

Kushi bëri me dije se marrëveshja do të hyjë në fuqi vitin tjetër shkollor.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, tha se Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë marrëveshje, sipas së cilës do të hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike.

“Kam kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen mes Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, me të cilën hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë të dy vendeve tona”, u shpreh Popovci.

Sipas tij, me këtë marrëveshje maturantët nga Kosova dhe Shqipëria do të kenë qasje të barabartë në 19 universitet publike, nga Gjirokastra deri në Mitrovicë, duke shtuar kështu mundësinë për përzgjedhjen institucioneve të larta.

“Gëzon fakti se marrëveshja po nënshkruhet në prag të regjistrimit të studentëve në universitete prandaj edhe mund të fillon të zbatohet këtë vit”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore