Shqipëria

Kosovë-Shqipëri: Nga bashkimi doganor, te njohja e sigurimeve shoqërore


Dy ishin marrëveshjet, të cilat u prezantuan nga ministritë e Financave dhe Ekonomisë në mbledhjen e tetë mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Njëra kishte të bënte me ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri-Kosovë për studimin, vlerësimin dhe hartimin e projektmarrëveshjes për bashkimin doganor dhe tjetra për njohjen e sigurimeve shoqërore mes dy vendeve.

Në fjalën e saj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se, falë marrëveshjes së parë, do të rriten shkëmbimet tregtare dhe bizneset.

Ajo tha se sfidat e përbashkëta mes dy vendeve “do t’i kalojmë me sukses duke hequr barrierat”.

“Shkëmbimet tregtare do të shkojnë në nivelin e duhur”, theksoi Ibrahimaj.

Sipas saj, do të arrihet lehtësimi i procedurave për bizneset, duke zeruar tarifat që lidhen me procedurat doganore nga qeveria shqiptare.

Sa i përket njohjes së sigurimeve shoqërore ka të bëjë me përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit.

Përfitime në para do të ketë edhe për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar.

Po ashtu përfitimet për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Këto marrëveshje dypalëshe sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë dhe anasjelltas që jetojnë në shtetet respektive.

Nga ana tjetër, Ibrahimaj shprehu keqardhjen se në këtë mbledhje nuk u arrit të nënshkruhej marrëveshja për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore