Shqipëria

Nënshkruhen 19 marrëveshjet e arritura në mbledhjen e 8-të të dy qeverive shqiptare


Janë nënshkruar 19 marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë pas mbledhjes së përbashkët të mbajtur këtë të hënë 20 qershori.

Si nikoqir i këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi duke cituar një pjesë nga deklarata e mbledhjes së kaluar mes qeverive në Elbasan, që optimizmin që kanë shqiptarët, ta rikthejnë në entuziazëm.

Më tej, në mbledhjen e tetë të përbashkët mes dy qeverive shqiptare, kryeqeveritari kosovar tha se këto mbledhje tingëllojnë më të vërteta dhe efektive si kurrë më parë, ndërsa “sfidat janë të shumta dhe situata duket e rënduar”.

“Bashkëpunimi mes dy shteteve tona duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati gjatë luftës”, theksoi Kurti.

Sipas tij, “sfidat, siç e dimë, sot janë të shumta dhe situata politike botërore është rënduar, por në të njëjtën kohë ne mund ta lexojmë këtë situatë më hapur, kur problemet gjeopolitike bëhen të ditura”.

Ndër të tjera, ai tha se “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se, kur nuk ekzistojnë problemet e pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar, është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi sigurohet duke i zgjidhur problemet në fillim e jo në fund”.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë kërkesë homologut të tij Albin Kurti për ngritjen e një Kuvendi të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

“E fundit, kryeministër, sepse në pjesën tjetër të optimizmit që kthehet në entuziazëm e ke merak vetë, në funksion të optimizmit që kthehet në entuziazëm, unë do t’iu propozoja që duke qenë se jemi në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor të parin Kuvend të përbashkët”, tha fillimisht Rama në fjalën e tij gjatë mbledhjes mes dy Qeverive Kosovë-Shqipëri.

Kjo, me të dyja parlamentet e mbledhura në një dhomë.

Në fjalën hyrëse të tij, Rama njoftoi se është zgjedhur Abetarja fituese, e cila do të jetë e përbashkët.

“Tjetra që duhet ta theksoj, rezultati i punës së njësive, ata janë të përfshirë në dy akademitë që nisin për enciklopedinë shqiptare, me financimin e dy qeverive. Merr udhë si një vullnet i përbashkët i qendrës së Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Sipas tij, vijon puna për fillimin e fazës së dytë për të bërë dorëzimin e Abetareve të unifikuara.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë marrëveshje me të cilën do të hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucione publike.

“Kam kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen mes Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, me të cilën hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë të dy vendeve tona”, tha Popovci.

Nga ana tjetër, edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, u ndal te marrëveshja për studentët mes dy vendeve.

“Ne sot u japim mundësi të barabarta të gjithë të rinjve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria për të konkurruar në Universitete”, tha ministrja shqiptare.

Sipas saj, çdo i ri që ka një diplomë të shkollës së mesme, mund të ndjekë studimet në çdo Universitet në dy vendet.

Kushi bëri me dije se marrëveshja do të hyjë në fuqi vitin tjetër shkollor.

Ndërsa Ministrat e Punëve të Brendshme treguan se do të nënshkruajnë marrëveshje për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve nga dy shtetet.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës dhe Shqipërisë gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer në ofrimin e sigurisë dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve tonë.

“Në kuadër të kësaj do të nënshkruajmë marrëveshje, e cila do të krijojë lehtësira në pikën kufitare, e cila ka kalimin më të madhe të qytetarëve të dy vendeve Vërmicë-Merdare”, tha Sveçla.

Ministri i Brendshëm shqiptar, Bledi Çuçi, tha se protokolli i parë që do të nënshkruajnë ka të bëjë me kalimin kufitar.

“Nga data 1 qershor deri më 30 shtator, për çdo fundjavë dhe festa shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do të kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare, në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”.

Dy ishin marrëveshjet, të cilat u prezantuan nga ministritë e Financave dhe Ekonomisë në mbledhjen e tetë mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Njëra kishte të bënte me ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri-Kosovë për studimin, vlerësimin dhe hartimin e projektmarrëveshjes për bashkimin doganor dhe tjetra për njohjen e sigurimeve shoqërore mes dy vendeve.

Në fjalën e saj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se, falë marrëveshjes së parë, do të rriten shkëmbimet tregtare dhe bizneset.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se, me marrëveshjen e re mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, do të bëhet bashkimi doganor mes dy shteteve.

“Memorandumi për ngritjen e një grupi të përbashkët për bashkim doganor është hapi i parë konkret në drejtim të një bashkimi doganor, i cili konsiderohet interes i lartë kombëtar”.

Në sektorin e energjisë, u bë e ditur se do të nënshkruhen dy marrëveshje.

“Është kënaqësi”, tha Artane Rizvanolli, “që sot me ministren Balluku të nënshkruajmë dy marrëveshje, të cilat janë të rëndësishme për bashkëpunimin tonë në sektorin e energjisë”.

Më tej, ajo ka thënë se “ne synojmë që, përmes kësaj marrëveshjeje, t’i dizerfikojmë burimet tona të energjisë dhe presim bashkëpunimin tonë nga të dyja shtetet”.

“Këto janë shprehimisht të theksuara edhe në strategjinë tonë të energjisë 2021-2031, të cilat do ta meritojmë së shpejti, ku bashkëpunimi me qeverinë e Shqipërisë është një top prioritet sa i përket qeverisë sonë”.

Po ashtu, Rizvanolli ka theksuar se, duke qenë se ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësit merr shumë kohë, “ne konsiderojmë që nuk ka nevojë të pritet të investohet domosdo në infrastrukturë të gazsjellësit”.

Ajo tha edhe se “e kemi një mundësi shumë të mirë në portin e Vlorës, që të investojmë ose të kontraktojmë kapacitet për blerje të energjisë të prodhuar nga gazi natyror, gjë që na mundëson që të vijmë shumë më shpejt te rezultati, tek energjia elektrike brenda dy vitesh, përafërsisht siç kemi biseduar me ministren për dallim 8-9 vite do të duheshin nëse ndërtojmë gazsjellësin dhe ndërtojmë kapacitet të gjenerimit”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në vijim të marrëveshjeve mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, foli dhe për marrëveshjen e bashkëpunimit për “Bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Ndërtimin e Linjës Hekurudhore Durrës–Prishtinë”.

Grupet e punës do të bëjnë të mundur studimin e projektit të ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Ky studim do të përcaktojë ndarjen e kostove për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë dy vendet.

“Projekt kombëtar i shumëpritur nga dy vendet me ndërtimin e portit të Durrësit dhe ndërtimin e kësaj hekurudhe”, u shpreh Balluku në fjalën e saj.

Sipas saj, kjo linjë hekurudhore do të jetë një nisje e korridorit të ri mes dy vendeve.

“Ky mjet transporti shumë efikas do të kthehet në një nga transportet më të rëndësishëm në të dyja anët e kufirit”, theksoi Balluku në fjalën e saj.

Sa i përket shëndetësisë, ministri Rifat Latifi, në mbledhjen e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës ka bërë të ditur se do të nënshkruajnë dy marrëveshje, të cilat lidhen për interesat e të dyja vendeve.

Sipas tij, përmes këtyre marrëveshjeve, synohet rritja e cilësisë në sektorin e shëndetësisë.

“Me kënaqësi po raportoj se, përmes nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve në shëndetësi do të hapim rrugën me të mëdha dhe konkrete midis dy ministrive tona të shëndetësisë, të cilat do të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit mjekësor dhe shkencor, si dhe do të rrisin cilësinë e kujdesit shëndetësorë për qytetarët tonë”, ka thënë Latifi.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu zbuloi se do të firmosen dy marrëveshje të tjera mes qeverive të të dyja vendeve – referuar qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes së përbashkët mes Qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi, ceku bashkëpunimin mes dy vendeve për mbrojtjen civile.

Në fjalën e tij, Peleshi falënderoi Qeverinë e Kosovës për mbështetjen që i është ofruar Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit 2019.

Ai gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim gjatë çdo lloj emergjence natyrore që mund të ndodhë.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët e Republikës së Shqipërisë, Bora Muzhaqi, bëri të ditur se marrëveshja e radhës mes dy qeverive asaj shqiptare dhe kosovare do të jetë ajo në “Bashkëpunimin në Fushën e Rinisë”.

Sipas saj, falë kësaj marrëveshjeje, do të ketë rritje të edukimit dhe ndarjes së eksperiencave mes dy vendeve.

“Kemi bërë një plan të mirë për angazhimin e të rinjve të të dyja vendeve duke filluar nga fuqizimi i përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje në nivele vendore por edhe qendrore”, tha Muzhaqi në fjalën e saj.

Ajo theksoi se, falë kësaj marrëveshjeje do të “shkëmbejmë politikat tona më të mira rinore, por edhe për Këshillin Kombëtar Rinor që kemi ngritur në Shqipëri”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, theksoi se me marrëveshjen që do të nënshkruajnë, do të mundësojnë programe të mbështetjes që jep mundësi të ofrojë eksperienca në zhvillimin e kapaciteteve për përthithjen e fondeve.

“Agjencia shqiptare do të ndajë eksperiencën me atë të Kosovës për akreditimin e fondeve. E dyta lidhet me angazhimin për ndarjen e të dhënave në kohë reale nëpërmjet dy zyrave. Do rrisim të dhënat e kontabilitetit në fermë”.

Gjithashtu ajo tha se marrëveshja e dytë ka të bëjë me ndarjen e informacioneve në kohë reale të çmimeve për produktet bujqësore.

“Marrëveshje që ngre një sistem të integruar informimi bujqësor mes dy ministrive, shkëmbimin për të dhënat statistikore që të kemi sistem bashkëkohor dhe më pas ngritjen e rrjetit të të dhënave të kontabilitetit të fermës”.

Sa i përket kulturës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në mbledhjen ndërmjet dy qeverive njoftoi se takimi i sotëm është formalizmi i një instrumenti ndihmës, krijimi i një platforme digjitale.

“Duhet ta konsiderojmë hartën turistike si një hartë të përbashkët ku kufiri nuk ka kuptim, prandaj që ta mbështesim këtë dhe duke konsideruar që turizmi është perspektivë shumë e rëndësishme na duhet të krijojmë itinerare të përbashkëta”.

Kumbaro shtoi se duhet të dalin me oferta të përbashkëta edhe në Ballkan.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në mbledhjen e tetë të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, bëri të ditur se do të njihen reciprokisht licencat e avokatëve, ndërmjetësve dhe provimi i jurisprudencës.

Në fjalën e tij Manja u shpreh se marrëveshja e radhës ka të bëjë me bashkëpunimin gjyqësor edhe në fushën civile.

Pas përfundimit të nënshkrimit të marrëveshjeve, sipas agjendës, u vijua me konferencën e përbashkët për shtyp të të dy krerëve të qeverive, Kosovë-Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore