Lajme

Kuvendi i Kosovës në mediat botërore, raportojnë për rrahjen e deputetëve


Foto: Albanian Post.

Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita është bërë kryetemë e mediave botërore.

Daily Mail, The Guardian dhe Associated Press jenë vetëm tri nga mediat ndërkombëtarë që kanë shkruar lidhur me situatën e së enjten në Kuvendin e Kosovës.

Që të tria kanë raportuar se përleshja fizike mes deputetëve ka filluar kur deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, iu afrua kryeministri i Kosovës, të cilin e spërkati me ujë.

“Mjaftoi ky veprim që deputetë të opozitës dhe pozitës të përleshen fizikisht, duke detyruar edhe sigurimin që të futet brenda sallës për ta vënë nën kontroll situatën”, shkruan Daily Mail.

Kurse, The Guardian, raportoi se acarimi i opozitës ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vjen pas njoftimit të tij se do të zvogëlohet numri i policëve specialë të vendosur jashtë katër ndërtesave komunale.

“Ky veprim ka zemëruar opozitën, e cila argumentoi se Kurti “eksperimentoi” për muaj të tërë dhe rrezikoi pozicionin ndërkombëtar të Kosovës për t’u tërhequr më vonë”, shkruan The Guardian.

“Kurti tha se ai po zbatonte ligjin dhe rendin në veri të Kosovës me vendosjen e policisë dhe kryetarëve të rinj shqiptarë etnikë”.

Në artikull është theksuar edhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, i kishin kërkuar që t’i mbante kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit larg Veriut derisa të zgjidhej situata.

“Zyrtarët perëndimorë, kanë shtuar përpjekjet për t’i afruar të dyja palët, nga frika se tensionet mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri të mëtejshme në Evropë ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë”.

“NATO ka dërguar trupa shtesë në misionin e saj paqeruajtës në Kosovë për të rritur sigurinë”.

Edhe nga Associated Press situata në Kuvendin e Kosovës, është përshkruar si e “acaruar”.

“SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë presion Kurtit për të ndihmuar në qetësimin e situatës pasi dhuna shpërtheu në maj pasi kryetarët shqiptarë në përcjellje nga policia morën detyrën pas zgjedhjeve që shumica etnike serbe në zonë i kishte bojkotuar gjerësisht”, thuhet në artikullin e AP-së.

Pas pesë vjetëve, një situatë krejtësisht më e dhunshme është parë të enjten e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës.

Debati parlamentar është përshkallëzuar në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit Lëvizjes Vetëvendosje me ata të Partisë Demokratike të Kosovës në seancën e Kuvendit të enjten.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ishte duke folur për situatën në Veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Më pas, situata u rëndua me sulme fizike edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, kur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ia marrë syzet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe duke e goditur me to.

Murati, reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin me një fashikull, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.

Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje.

Policia e Kosovës dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit ka intervenuar për t’i ndalur përleshjet.

Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Forca të shtuara të policisë ishin pranë dhe brenda në Kuvend.

Të gjitha rastet e përleshjeve në Kuvendin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore