Kosova

Të gjitha rastet e përleshjeve në Kuvendin e Kosovës


Foto: Albanian Post.

Kuvendi në një shtet demokratik përfaqëson organin më të lartë legjislativ.

Nga ky institucion shqyrtohen, aprovohen ligje për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe ligje që kanë të bëjnë me parandalimin e dhunës.

Por, jo rrallë herë përmes deputetëve pozitë dhe opozitë, ndodhin përleshjet fizike, mesazh ky i përçuar tek qytetarët nga të njëjtit që apelojnë për parandalimin e dhunës.

E ngjashme ishte edhe situata e 13 korrikut të 2023.

Viti 2015 dhe 2016 vite të tensioneve në Kuvendin e Kosovës

Në vitin 2015, raportohej për sulme të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës në atë kohë nga Lëvizja Vetëvendosje që ishte opozitë.

Situata e tensionuar në Kuvendin e Kosovës kishte nisur me 22 shtator të 2015, me sulme me vezë e gaz lotsjellës.

Në kërkim të shfuqizimit të marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në muajin tetor të 2015, në një seancë ku po udhëhiqej nga ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, seanca plenare ishte ndërprerë pasi që deputetët nga radhët e opozitës LVV kishin hedhur gaz lotsjellës në sallë.

Gazi në Kuvend në vitin 2015.

Në atë kohë ky sulm ishte bërë për shkak të marrëveshjeve me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin.

Në gusht të 2016, gazi lotsjellës ishte rikthyer sërish në Kuvendin e Kosovës gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ku ishte duke u shqyrtuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Malit të Zi.

Nga Opozita ishte paralajmëruar se do të pengohej ratifikimi i marrëveshjes, qoftë edhe me metoda jo të duhura dhe ato radikale, duke mos e përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

Ndërsa më 24 shkurt të 2016, takimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilin është dashur të vendoset për datën e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ishte ndërprerë nga gazi lotësjellës, sërish i hedhur nga opozita.

Si zgjidhje për këtë situatë që vazhdonte gjatë gjithë kohës më 9 mars të 2016, Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim që t’i ndahen mjete financiare Kuvendit për blerjen e skanerëve, të cilët do të detektonin futjen e gjësendeve të ndaluara brenda këtij institucioni.

Gazi në Kuvend.

Vendimi i qeverisë ishte konfirmuar dhe ka pasuar kërkesën e Kryesisë së Kuvendit, sipas së cilës, me këso lloj skanerësh, mund të detektohet dhe parandalohet futja e gazit lotsjellës në Kuvend, por edhe e gjësendeve tjera të ndaluara.

Edhe më 24 mars të 2018, seanca për ratifikimin e demarkacionit ishte zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.

LVV, tentoi që të pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës.

Ndërprerja e seancës në katër rastet kur ishte provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, solli si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës.

Gazi në Kuvend.

Pas pesë vjetëve, një situatë krejtësisht më e dhunshme është parë të enjten e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës.

Debati parlamentar është përshkallëzuar në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit Lëvizjes Vetëvendosje me ata të Partisë Demokratike të Kosovës në seancën e Kuvendit të enjten.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ishte duke folur për situatën në Veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Më pas, situata u rëndua me sulme fizike edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, kur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ia marrë syzet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe duke e goditur me to.


Murati, reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin me një fashikull, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.

Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje.

Policia e Kosovës dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit ka intervenuar për t’i ndalur përleshjet.

Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Momentalisht, forca të shtuara të policisë janë pranë dhe brenda në Kuvend.

Sulmi në Kuvend, të enjten e 13 qershorit, 2023.
Sulmi në Kuvend, të enjten e 13 qershorit 2023.

Aktakuzat për sulme me gaz lotsjellës dhe vezë ndaj deputetëve të LVV-së

Më 22 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiu, pasi të njëjtit nuk ishin paraqitur në seancë.

Aktakuza ndaj tyre rëndonte për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Ndaj deputetëve që kishin përdorur gazlotsjellës kishte pasur edhe aktakuzë.

Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzoheshin se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Edhe ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ishte ngritur aktakuzë për dy vepra penale.

Njërën për gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit, e tjetrën se kishte penguar zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore