Kosova

Kushtetuesja vendos për rastin e pagesës së 11 milionë eurove për rrymën në veri


Gjykata Kushtetuese në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese, ka marrë vendim për rastin e pagesës së 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës në veri, vendim ky që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës më 6 maj të vitit 2021.

Kushtetuesja ka thënë se ai akt ka rezultuar në dallim të trajtimit të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër komunat në veri, ajo ka shtuar se ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe është i arsyeshëm” dhe rrjedhimisht nuk rezulton me diskriminim.

“Për pasojë, dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se nxjerrja e Aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, megjithatë, ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”.

Ndërsa shtoi se, “nuk rezulton në diskriminim, sepse (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ka ndjekur një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mitrovica e Veriut.

Kuvendi kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

Më 14 maj, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, u shpreh se vendimi i Kuvendit të Kosovës që i hapi rrugë pagesës së energjisë elektrike për qytetarët që jetojnë në veriun e Kosovës, është kundër kushtetues.

Në një konferencë për media, pasi dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese këtë çështje, Deliu-Kodra ka thënë se ky vendim i Kuvendit ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, prej 11 milionë eurove.

“Ky vendim i Kuvendit, i mbështetur kryesisht nga deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, duke marrë kështu në mënyrë kundër-kushtetuese taksat e qytetarëve për të paguar energjinë elektrike për qytetarët dhe bizneset në veri të Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore