Lajme

Kuvendi i Kosovës votoi ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në veri


Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri Ndërmarrësi, dhe Tregtisë, që t’iu alokohen mjetet financiare dhe përgjegjsitë, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, të bëjë pagesën e faturave të energjisë elektrike për serbët që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës.

Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë e arsyetoi propozimin se duhet të “respektohen marrëveshjet e arritura më herët”, dhe se “qeveria po diskuton me KOSTT-in, ZRRE-në dhe departamentet përkatëse brenda ministrisë për hartimin dhe arritjen e marrëveshjes  brenda gjashtë muajve me “Elektro Severin”.

Kjo e fundit ka të bëjë vetëm me furnizimin, por “kurrsesi distribuimin e energjisë elektrike në veri”. Elektro Severi në dhjetor të vitit të kaluar ishte licencuar vetëm për furnizim me energji elektrike, ndërsa kërkesa për licencë të distribuimit iu ishte refuzuar

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se “Qeveria duhet të zbatojë  ligjin, pasi që është e mundshme që dikush nga rajonet tjera të Kosovës të refuzojë  të paguaj energjinë elektrike” duke e përdorë si alibi rastin e pjesës veriore”.

Një pagesë e tillë KOSTT-it pritet ti kushtojë afro 11 milionë euro.

Për një gjë të tillë po e kundërshton edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që sipas saj LVV sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar pagesën e rrymës për serbët në veri.

Në anën tjetër, deputeti Ferat Shala nga PDK-ja pati thënë se “qeveria hoqi shtesat për pensionistët, për të ia paguar rrymën serbëve në veri”.

Ndërsa AAK thonë se 11 milionë euro duhet të paguajnë qytetarët nga xhepi I tyre për t’iu paguar faturat e energjisë elektrike serbëve në veri.

Pas pauzës së dytë të Kuvendit të Kosovës, deputetët e partive opozitare, nuk janë kthyer në sallë për mbajtjen e seancës plenare.

Megjithatë, ndonëse me vonesë për 35 minuta, seanca  ka vazhduar ku të pranishëm ishin 61 deputetë.

Debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19 është shtyrë si pikë e rendit të ditës për t’u shqyrtuar nga komisioni përkatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore