Lajme

Kusari-Lila: 23 prilli shënon fillimin e fundit të një procesi të keq të organizimit politik


Shefja e grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Sipas shefes së grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në Veri, “shënojnë fillimin e fundit”.

Pas mbledhjes së kryesisë, Kusari-Lila deklaroi se të gjitha përpjekjet tani nuk do të jetë të lehta, por që do të jenë duke u bazuar në Kushtetutë.

“Dje ishte një ditë e cila e shënon fillimin e fundit të një procesi apo të një vazhdimësie të keqe të organizimit politik të ndikimit nga Serbia në Kosovë përmes Listës Serbe”.

“Natyrisht që tashmë të gjitha përpjekjet nuk do të jenë të lehta do të jenë me shumë sfida, por do të jenë konform ushtrimeve të mandatit në nivelin lokal ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Kusari Lila.

Teksa, sqaroi se mendimi i Serbisë për Kosovën, është ditur tash e sa vjet.

“Është ditur kohë më parë se situata në Veri është komplekse e karakterizuar me ndikime të mëdha në veçanti nga grupet kriminale, gjithashtu ka qenë evidente që të njëjtat grupe edhe vetë Serbia kanë qenë kundër prezencës së Kosovës në Veri të vendit”.

Gjithashtu për organizimin e zgjedhjeve ka potencuar se janë organizuar “në mënyrën e hapësirës që kanë pasur”.

“Zgjedhjet kanë qenë të organizuara për aq sa ka pasur hapësirë për t’u organizuar në kuptimin e mungesës së normalitetit në Veri tashmë më shumë se dy dekada, por që nuk është kontestuar nga ana e shtetit apo nuk është cenuar e drejta e askujt për të marrë pjesë”.

Ajo kujtoi edhe sfidat me të cilat vazhdojnë të ballafaqohen në këtë pjesë.

“Sfidë ka qenë dhe mbetet siguria e individëve, gjegjësisht e përfaqësuesve politik që kanë mendim tjetër prej asaj të Listës Serbe dhe Vuçiç”.

Ndryshe, vetëm 1 mijë e 567 qytetarë kanë votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur këtë të diele, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejtë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Këtë të dhëna i ka bërë të ditura Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Kreshnik Radoiniqi, në një konferencë për media pasi janë mbyllur qendrat e votimit, të dielën e 23 prillit.

Në komunën e Leposaviqit kanë marrë pjesë 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Putok 385 votues, apo 5.78 për qind, në Zveçan 204, apo 2.92 për qind, dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut 837 votues, apo 4. 62 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore