Lajme

Kurtit dhe Konjufcës do t’u hetohet pasuria


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në mesin e zyrtarëve që do t’u hetohet pasuria nga Agjencia Kundër Korrupsionit ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kjo pas hedhjes së shortit që AKK-ja ka bërë të mërkurën për të hetuar pasurinë e tërësishme të 20 për qind të zyrtarëve që e kanë deklaruar atë.

Kontroll të pasurisë është thënë se do t’iu bëhet edhe disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Emrat e publikuar nga agjencia Kundër Korrupsionit për hetim të pasurisë.
Emrat e publikuar nga agjencia Kundër Korrupsionit për hetim të pasurisë.

Në mesin e emrave që janë publikuar nga AKK-ja për hetim të pasurisë është edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, zëvendësministri Blerim Sallahu, kryetari i PDK-së, Memli Krasnqi, kreytari i Suharekës, Bali Muharremaj, kryetari i komunës se Ranillukut, Vladica Aritonoviç, ambasadori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Ilir Dugolli, deputetit, Fadil Gashi, deputetja Fitore Pacolli, ambasadori në Kanadë, Adriatik Kryeziu, zëvendësministër, në ministrinë e zhvillimit rural Agon Dobruna.

Nga deputet e Kuvendit të Kosovës për hetimin e pasurisë është edhe Valon Ramadani, Erxhan Galushi, Jetmire Vrenezi, Fitim Haziri, Hydajet Hyseni Kaloshi, Floretë Zejnullahu, Mirlinda Tishukaj Sadiku.

Emrat e zyrtareve të tjerë që do të hetohen për pasuri mund t’i gjeni edhe në listën e publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka deklaruar se për të evituar lëshimet eventuale gjatë procesimit të të dhënave, Agjencia kundër Korrupsionit përmes personave kontaktues, javën e kaluar, ka dërguar te subjektet deklaruese regjistrat e deklarimit të pasurisë dhe tashmë ka pranuar përmirësimet nga ta.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

“Nga numri i përgjithshëm i  zyrtarëve të lartë publik që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani”, tha Buleshkaj.

Me 14 qershor, agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar listën e deklarimeve të pasurive të krerëve institucional për vitin 2021.

Deklarimin e pasurisë për vitin 2021 në AKK, e ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili si pasuri të paluajtshme, ka treguar apartamentin 400 mijë eurosh, i cili është në pronësi të bashkëshortes.

Sa i përket parave të gatshme, i pari i ekzekutivit në AKK ka deklaruar se posedon vetëm 400 euro.

Kurti ka deklaruar si të hyra vjetore 12 mijë e 903 euro derisa bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore 39 mijë e 200 euro.

Ndërkohë, detyrime financiare Kurti e ka deklaruar qiranë e shtëpisë prej 250 euro, ndërsa gruaja e tij ka 290 mijë kredi në Oslo, të marra për 25 vjet.

Në AKK pasurinë për vitin 2021 ka deklaruar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka njoftuar se ka blerë një banesë të re në vitin 2021, me vlerë prej 44 mijë euro.

Megjithatë Konjufca, në pronësi të tij si pasuri të paluajtshme ka deklaruar edhe një banesë tjetër me vlerë 89 mijë e 100 euro si dhe një shtëpi të vikendit me vlerë 70 mijë euro, e cila është në pronësi të përbashkët me bashkëshorten e saj.

Paga vjetore e Konjufcës kap shifrën e 26 mijë e 373 euro si kryetar i Kuvendit, ndërsa paga që merr nga Lëvizja Vetëvendosje arrin shumën e 4 mijë 952 euro.

Konjufca gjatë vitit 2021 ka deklaruar se është paguar 962 euro në formë të mëditjes.

Kreu i Kuvendit thotë se para të gatshme të kursyera në bankë i ka 8 mijë e 243 euro, derisa obligime financiare ndaj po të njëjtës bankë i ka 67 mijë e 125 euro, në kohëzgjatje prej 12 vjetësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore