Lajme

Sa janë të pasur Osmani, Kurti dhe Konjufca?


Ilustrim: Glauk Konjufca, VJosa Osmani dhe Albin Kurti

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar listën e deklarimeve të pasurive të krerëve institucional për vitin 2021.

Marrë për bazë këtë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklarimin e pasurisë për vitin 2021 në AKK, ka njoftuar se ka në pronësi një banesë të papërfunduar me garazhe, me sipërfaqe rreth 83 metra katrorë, vlera e së cilës është 42 mijë e 500 euro.

Përveç banesës, Osmani ka deklaruar se ka rreth 35 mijë e 721 euro dhe 6 mijë e 774 dollarë para të gatshme të mbajtura në bankën Raiffeisen.

Ndërsa bazuar në regjistrin e AKK-së, Osmani ka deklaruar se detyrimet e saj ndaj Marigona Hill, kapin shifrën e 87 mijë e 900 euro të cilën e ka në pronësi të përbashkët me bashkëshortin e saj.

Paga vjetore e Osmanit, kap shifrën prej 32 mijë e 922 euro si presidente e Kosovës, ndërsa e njëjta është kompensuar me 6 mijë e 233 euro nga mëditjet në udhëtimet gjatë vitit 2021.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, merr pagë vjetore prej 37 mijë e 885 euro nga buxheti i Kosovës dhe 8 mijë e 500 euro nga qiratë.

Deklarimin e pasurisë për vitin 2021 në AKK, ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili si pasuri të paluajtshme, ka treguar apartamentin 400 mijë eurosh, i cili është në pronësi të bashkëshortes.

Sa i përket parave të gatshme, i pari i ekzekutivit në AKK ka deklaruar se posedon vetëm 400 euro.

Kurti ka deklaruar si të hyra vjetore 12 mijë e 903 euro derisa bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore 39 mijë e 200 euro.

Ndërkohë, detyrime financiare Kurti e ka deklaruar qiranë e shtëpisë prej 250 euro, ndërsa gruaja e tij ka 290 mijë kredi në Oslo, të marra për 25 vjet.

Në AKK pasurinë për vitin 2021 ka deklaruar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka njoftuar se ka blerë një banesë të re në vitin 2021, me vlerë prej 44 mijë euro.

Megjithatë Konjufca, në pronësi të tij si pasuri të paluajtshme ka deklaruar edhe një banesë tjetër me vlerë 89 mijë e 100 euro si dhe një shtëpi të vikendit me vlerë 70 mijë euro, e cila është në pronësi të përbashkët me bashkëshorten e saj.

Paga vjetore e Konjufcës kap shifrën e 26 mijë e 373 euro si kryetar i Kuvendit, ndërsa paga që merr nga Lëvizja Vetëvendosje arrin shumën e 4 mijë 952 euro.

Konjufca gjatë vitit 2021 ka deklaruar se është paguar 962 euro në formë të mëditjes.

Kreu i Kuvendit thotë se para të gatshme të kursyera në bankë i ka 8 mijë e 243 euro, derisa obligime financiare ndaj po të njëjtës bankë i ka 67 mijë e 125 euro, në kohëzgjatje prej 12 vjetësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore