Lajme

Kurti viziton Tetovën këtë javë, pritet të promovohet ideja e rrugës Prizren-Tetovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të kësaj jave do ta vizitojë Tetovën.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.

“Pas emërtimit të një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi, në Komunën e Çairit, kryeministri Kurti do të niset për në Komunën e Tetovës ku do të pritet nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami. Menjëherë pas takimit do të vazhdojnë për në rrugën që lidh fshatin Sellcë me Vejcë, për të promovuar një ide që do të lidhë turizmin malor mes Tetovës dhe Prizrenit”.

Komuna e Prizrenit, shumë shpejt pritet të lidhet me komunën e Tetovës përmes një rruge e cila pritet t`i shërbejë turizmit malor mes dy vendeve.

Edhe me 1 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte takuar me, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Nga Zyra e Kryeministrit ishte thënë se palët kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve dhe projektet e përbashkëta

Po ashtu, rritja e efikasitetit të kalimit të kufirit për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në drejtim të njëra-tjetrës dhe projekti i rrugës Prizren-Tetovë ishin dy prej çështjeve me theks të veçantë.

Në takim ishte trajtuar edhe mundësia e organizimit të një forumi të përbashkët të biznesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore