Lajme

Kurti: Serbia po sillet si ‘Rusi e vogël’ ndaj vendeve fqinje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po kopjon Rusinë përderisa po sillet si një “Rusi e vogël”, ndaj vendeve fqinje të saj.

“Serbia po sillet si Rusia në fqinjësinë e saj në Ballkanin Perëndimor: entiteti boshnjak po përpiqet ta kthejë Republikën Srpska në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë”, është shprehur Kurti.

“Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, madje edhe Maqedonisë veriore. Përkundrazi, i konsideron këto shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre”, shtoi ai.

Kurti në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka theksuar se shteti që e qeverisë nuk ka problem më të madh se ai i raportit me Serbinë.

“Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta mendojë e as ta pranojë Kosovën si shtet të barabartë dhe fqinj”.

Lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Kurti ka thënë se “suksesi i negociatave dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes dy vendeve varet nga gatishmëria e Serbisë për të ndryshuar qasjen”.

Ilustrim

Sa i përket çështjes së krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, kryeministri Kurti, ka potencuar se nuk do të ketë diçka të tillë.

“Kemi një krijim në Bosnjë dhe Hercegovinë që quhet Republika Srpska, e ndërtuar në Dayton dhe i shërben Beogradit e jo serbëve. Pra, Beogradi e dëshiron një krijim të njëjtë edhe në Kosovë”.

“Në BeH kemi një shtet që nuk është republikë dhe brenda tij një republikë që nuk është shtet. Brenda Kosovës, Beogradi dëshiron një Asociacion që do të quhet republikë, por nuk do të jetë shtet”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Kurti ka ri përsëritur qëndrimin e tij lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Ai ka theksuar se nuk mund të ketë Ballkan të Hapur derisa Serbia të jetë e mbyllur për Kosovën, derisa t’i pranojë pasaportat, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat dhe vulat e Kosovës.

“Ballkani i Hapur është më shumë si Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina, e hapur ndaj autokracisë, korrupsionit, kriminelëve të luftës”.

Iniciativa “Open Ballkan”

“Nga këndvështrimi i Serbisë, Ballkani i Hapur do të thotë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten të hapura ndaj Federatës Ruse dhe Kinës ashtu siç është Serbia. Kosova e kundërshton këtë synim, duke insistuar se Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja është fati ynë”.

Ndërkaq, derisa pyetet nëse e ka përshtypjen se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kuptohet më mirë se vetë Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiçin, Kurti nuk i ikë përgjigjes.

Por, në vend të kësaj, Kurti ka përmendur mbledhjen e fundit të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe nënshkrimin e 13 marrëveshjeve të reja midis tyre.

“Takimi i dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara janë në sfondin e integrimit në BE, që është perspektiva jonë. Marrëveshjet si këto do të na lejojnë të përkthejmë vizionet dhe programet e të dy qeverive në veprime më konkrete, në mënyrë që të jenë efikase dhe frytdhënëse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore