Kosova

Kurti: “Përvjetori i 40-të i pranverës 1981”, trashëgimi e vlefshme


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në promovimin e albumit “Përvjetori i 40-të i pranverës, 1981 – 2021”

“Përvjetori i 40-të i pranverës, 1981 – 2021”, i autorëve Sylë Mujaj dhe Hydajet Hyseni, riktheu nostalgjinë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për protestat studentore në fillim të pranverës së vitit 1981 të cilat nisën si shkak i kushteve jo të mira në mensën e studentëve, por që në fakt ishte mllef i akumuluar ndër vite për sistemi jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Përvjetori i 40-të i pranverës, 1981 – 2021”, u bë album, në promovimin e të cilit morri pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kur e shënojmë 40 vjetorin e pranverës ‘81, padyshim se aq sa duhet t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes atë vit të lavdishëm, në të njëjtën kohë kemi për detyrë që me këso botimesh sikurse ky që po promovojmë sot, t’ua bartim një trashëgimi të vlefshme edhe atyre që kanë lindur shumë më pas, por ndonëse nuk i kanë ato sfida të asaj kohe, nuk është se nuk i kanë disa rreziqe, që nuk janë aq të reja”, tha Kryeministri Kurti në ceremoninë e organizuar në Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, në Prishtinë.

“Prandaj kur rreziqet nuk mplaken, nuk do të duhej që as qëndresa, rezistenca dhe organizimi ynë të mplaket”, shtoi ai.

Nëpërmjet këtij albumi, si një dritare, ai tha se shpreson që sa më shumë njerëz ta kuptojnë, se çka ka ndodhur prapa grilave të dritares së burgut.

Duke përmendur ish të burgosurit e pranishëm në ceremoni, Kryeministri tha se të gjithë ata, ndonëse ishin të burgosur në kohë të ndryshme e burgje të ndryshme, ishin për idealin e njëjtë, i cili bartet edhe më mirë te brezat e ri, atëherë kur botohet krijimtari artistike, që ndonëse ishin të ndaluara jashtë, ja që bëheshin në burg.

“Për brezat e ri sot, besoj që vlera e madhe është jo vetëm në aspektin e dijes historike dhe të vetëdijes kombëtare, por edhe në aspektin e një lloj edukimi estetik”, tha ai.

Kryeministri theksoi se beson që arsimimi duhet të jetë edhe edukim, ndërkaq edukimi nuk duhet të jetë vetëm etik, por edhe estetik. Pra, edhe edukim me vlera morale, por edhe edukim me vlera artistike.

Ai shtoi se “të dyja këto kanë qenë të lidhura ngusht, si te askush tjetër, pikërisht te të burgosurit politik dhe në këtë kuptim ne nuk jemi sot të vetëdijshëm se sa shumë u kemi borxh atyre”.

“Nuk duhet harruar asnjëherë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur një plejadë të gjatë e të gjerë të të ish burgosurve politik, që i kanë paraprirë edhe mendërisht, edhe shpirtërisht, edhe fizikisht, drejt zhvillimit e ndërtimit të saj dhe drejt realizimit të çlirimit të Kosovës në qershorin e vitit 1999”, tha kryeministri

“Dhe gjakosjen jo vetëm për liri, por edhe për ushtrinë për liri, e shohim në këto vizatime të shumta, në këto poezi e në këto këngë, ku bëhet kushtrimi, bëhet thirrja për rezistencë të gjithmbarshme popullore drejt lirisë kolektive”, tha ai.

Demonstratat e 81’tës në Prishtinë

 

Demonstratat e 81-tës

Demonstratat filluan si një lëvizje spontane e studentëve të Kosovës të cilat u mbajtën në Prishtinë më 4 mars të vitit 1981. Shkak u tha se ishte mungesa e kushteve në mensën e studentëve në Prishtinë, vendi ku studentët ushqeheshin me shujta ushqimi, por ne fakt ishte shkëndija e një mllefi të akumuluar prej vitesh, ndaj sistemit jugosllav.

Shërbimi policor pas intervenimit brutal ndaj studentëve të revoltuar, paraburgosi një numër të madh të tyre. Kjo ndërhyrje shkaktoi demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars e cila po ashtu shtypet me dhunë dhe paraburgosen disa student. Më këtë fillon edhe zinxhiri i demostratave të 81-ës.

Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve” në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur. Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre.

Gjatë këtyre tubimeve, armata Jugosllave paraqet prezencën e saj. Pas dy muajsh në territorin e “Krahinës Socialiste të Kosovës” vendoset “Gjendja e jashtëzakonshme” e më vonë edhe shtetrrethimi.

Ky zinxhir vazhdon deri me fillimin e luftës në Kosovë.

Demonstratat e 81’tës në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore