Kosova

Kurti për liberalizimin e vizave: Qytetarët s’mund të udhëtojnë për punë dhe studime


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fushatën informuese për liberalizimin e vizave në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka deklaruar se nga 1 janari nga qytetarët e Kosovës, mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, por që s’do të kenë mundësi të udhëtojnë për punë dhe studime.

Ai gjatë fjalimit të tij ka thënë se shkelja e rregullave mund të penalizojë me ndalim hyrje në zonën Schengen deri në 5 vjet.

“Liberalizimi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë, megjithatë duhet të kemi kujdes sepse përmban rregulla. Duhet të keni pasaportë, mund të udhëtoni vetëm 90 ditë prej 180 ditësh, dëshmi se ku do të qëndroni, mjete të mjaftueshme financiare dhe biletë kthyese”, deklaroi Kurti.

Duke thënë se një fushatë e ngjashme siç u mbajt në Prishtinë të enjten do të vazhdoj të mbahet edhe në komunat e tjera.

“Përgjatë tetorit dhe nëntorit pritet që fushata të zhvillohet në shumë komuna të Kosovës anë e mbanë. Stafi i kryeministrisë tashmë ka mbajtur takime me hisedarë të ndryshëm duke përfshirë edhe komunat e Republikës, komunitetet e vendit dhe Odën e Turizmit për t’ua shpjeguar rregullat lidhur me liberalizimin e vizave”.

“E kemi përjetuar bashkërisht që ky proces ka qenë i tej zgjatur dhe i vonuar për qytetarët e Kosovës”.

Foto: Albanian Post.

Ai tutje ka pohuar se deri tek liberalizimi i vizave kanë ardhur përmes një procesi të vështirë, por që këtë e kanë bërë vetëm që vendi i tyre t’i bashkohet këtij procesi demokratik.

“Gjatë vitit që shkoi, kur e kishte Presidencën e Këshillit Evropian, Republika Çeke, ne kemi punuar ngushtë edhe me Presidencën Çeke edhe me Komisionin Evropian për ta kthyer në agjendë të Këshillit të BE-së këtë temë”.

“E kemi arritur të gjithë së bashku nëpërmjet procesit demokratik të vendit tonë, ku në veçanti do të theksoja arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në menaxhimin e azilit e të migrimit, e tash po i afrohemi ditës ku liberalizimi i vizave do të zbatohet, dhe qytetarët sot të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, meqenëse nga 1 janari merr fund regjimi i vizave për Kosovën”, deklaroi Kurti.

Më 2 tetor, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, kishte sqaruar se kur qytetarët mund të udhëtojnë pa viza dhe në cilat raste atyre nuk do t’u lejohet të dalin jashtë vendit në rast të parregullsive.

Përmes një komunikate për media thuhej se “poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër”.

Po ashtu, ambasada njoftoi se viza do të mundësohet për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive.

Përfshirë edhe takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Vendimi i liberalizimit të vizave për kosovarët do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, pasi kjo çështje u lidhë me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

BE na i hoqi vizat, pas 12 vjetësh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore