Lajme

Kurti në vizitë dy ditore në Austri, takon kancelarin Schallenberg


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Austri për një vizitë dyditore.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, thuhet se Kurti do të zhvillojë takim bilateral me Kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin do të diskutojë mbi marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Austrisë dhe mënyrat e fuqizimit të tyre nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, për të zhvilluar një vizitë zyrtare dy ditore”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti

“Krahas takimeve tjera zyrtare, kryeministri Kurti do të marrë pjesë edhe në diskutimin e organizuar nga Instituti “Karl Renner”, me temën ‘Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore’, që do të mbahet të hënën e 22 nëntorit në ora 18:00”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, më 11 nëntor të këtij viti, Kurti mori pjesë edhe në Forumin e Paqes në Paris.

Vetë Kurti pati bërë të ditur se takime ka zhvilluar edhe me liderë të ndryshëm nga rajoni dhe bota.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin e Paqes.

“Në Paris po diskutojmë për bashkëpunim dhe paqe me Presidentët Gjukanoviç e Komshiç e deri te Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell”.

E pranishme në këtë forum ishte edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila kishte deklaruar se çështja e Kosovës do të jetë në agjendën e saj gjatë vizitës dyditore në Paris.

“Do të trajtoj edhe çështjen e Kosovës dhe trashëgiminë tonë kulturore, historike, kishat dhe manastiret në Kosovë që janë nën mbrojtjen e UNESCO-s”, ka thënë kryeministrja serbe.

Por, për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ajo konsideron se do të ishte katastrofal.

“Mendoj se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ishte katastrofik. Mendoj se do të ishte një precedent i madh dhe dihet se do të na dërgonte në shumë çështje të tjera me përmasa globale që UNESCO-s nuk i duhen”, thoshte Bërnabiç, raporton N1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore