Kosova

Kurti me QUINT-in – “Të angazhuar për dialog parimor me Serbinë, me njohje në qendër”


Albin Kurti në takim me Ambasadorët e QUINT-it

Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë dhe bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të QUINT-it, thuhet të ketë qenë tema e diskutimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Përveç bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Qeverisë dhe shteteve të QUINT-it, në takim është diskutuar edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë.

“U diskutua për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në Veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit”, thuhet në komunikatën për media.

Në takim gjithashtu u fol edhe për zhvillimet politike në vend, si dhe gjendjen e sigurisë në vend e rajon.

“Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”.

Albin Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it ishte i shoqëruar me Zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore