Lajme

Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik në vend – Kosova vendoset në hartën e tregjeve botërore financiare


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë, i cili, sipas tij, do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e aseteve publike.

“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar konsideroi se Fondi Sovran i Kosovës “e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur”, duke e vendosur kështu shtetin më të ri në Evropë në hartën e tregjeve botërore financiare.

“170 shtete të botës, nga gjithsej rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global”, shtoi ai.

Në konferencën e Fondit Sovran të Kosovës më 7 maj – bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES) – Kurti pati thënë se institucionet kosovare janë një hap më afër themelimit të Fondit Sovran.

“Tani kur projekltigji ka kaluar konsultimet publike, jemi një hap më afër miratimit të tij, e me këtë, kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran. Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni, duke besuar që një nismë e tillë do të rezultojnë në stabilizimin e ekonomisë”.

Kreu i ekzekutivit pati lavdëruar qeverisjen e tij për çka edhe theksoi se janë bërë transformime në ndërmarrjet publike, duke i kthyer ato nga ndërmarrje që ishin me humbje, në ndërmarrje që sjellin profit. Për më tepër, ai tha se janë siguruar që korrupsioni të mos zë vend në ndërmarrjet publike.

“Ndërmarrjet janë ringjallur e kthyer në shërbim të qytetarëve. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milion humbje para mandatit tonë qeverisës”, u kujdes të tregonte ai.

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës. Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Prej atëherë, ai ka qenë pjesë e secilës platformë zgjedhore, përfshirë edhe programin qeverisës të Qeverisë Kurti 1. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Kurti: Jemi afër themelimit të Fondit Sovran, do të rezultojë në stabilizimin e ekonomisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore