Lajme

Kurti fillon hakmarrjen ndaj NjSI-së, i zhvesh nga kompetencat për terrorizmin


Foto nga Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që t’i zhvesh nga kompetencat për luftimin e terrorizimit Njësinë Speciale Intervenuese, njësiti më elitë i Policisë së Kosovës dhe grupi që luftoi terroristët e udhëhequr nga Milan Radojiçiç.

Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda Policisë së Kosovës se kjo kompetencë i ka kaluar një tjetër njësie të pa trajnuar në formë adekuate për t’u marrë me terrorizëm.

Kjo heqje e kompetencave për NjSI-në, të njohur ndryshe edhe si FIT, ka ardhur pas protestave të këtij grupi dhe shprehjes së pakënaqësive publike me kushtet e punës dhe pagat e ulëta.

Siç ka mësuar Albanian Post nga burimet, kompetencat i janë bartuar një njësie tjetër, asaj të Ndërhyrjes së Shpejt (NjNSh).

Derisa pjesëtaret e FIT-it janë trajnuar nga shtete si SHBA-të, Franca, Turqia e të tjera për luftimin e korrupsionit, asnjë njësi tjetër nuk ka kompetencën dhe ekspertizën e tyre.

Por, kjo s’e ka ndalur kryeministrin të marrë masa ndaj tyre, për shkak të refuzimit për ta ndalur protestën dhe shprehur pakënaqësinë publikisht.

“Jo vetëm marrjen e këtyre kompetencave, por ka edhe më shumë”, i ka treguar burimi AP-së, pa shpalosur tutje se për çfarë bëhet fjalë.

Ndryshe pjesëtarët e NjSI-së kishin mbetur të shtangur nga Albin Kurti, kur gjatë takimit të përbashkët që kishin zhvilluar të mërkurën e 15 nëntorit të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës iu kishte thënë se ajo çfarë kishin bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Albanian Post ekskluzivisht kishte kuptuar se çfarë ishte biseduar në mes të pjesëtarëve të NjSI-së, grupit elitë të policisë, të njohur edhe si FIT dhe Albin Kurtit, i cili u ka thënë se nuk mund t’ua plotësojë kërkesat e prezantuara, sepse “nuk mund të dorëzohem para jush”.

Ndryshe nga sa e paraqiste në publik si një betejë të jashtëzakonshme të NjSI-së, Kurti u ishte drejtuar pjesëtarëve të FIT-it duke u thënë se “nuk është se keni bërë gjë (me 24 shtator), i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca”.

Përveç se ofendues, përfaqësuesit e NjSI-së kishin mbetur të befasuar se si Kurti nuk e ka lexuar as raportin e institucioneve, përndryshe do ta dinte se jo të gjithë terroristët u vranë me snajper dhe jo të gjithë u vranë nga largësia.

Nga burimet brenda takimit, Albanian Post kishte kuptuar se Kurti ishte treguar indiferent ndaj policëve edhe kur ata i deklaruan se nuk po protestojnë për shkaqe politike, por për dinjitet dhe kushte më të mira dhe se “për Kosovën luftojmë, siç kemi bërë edhe në të kaluarën, edhe veç me bukë e djathë”.

“Luftë është kur vdesin shumë dhe mbesin pak”, ua kishte kthyer Kurti, duke thënë se me 24 shtator në ballafaqim me terroristët serbë të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, nuk u bë luftë meqë ka vdekur vetëm një polic.

“Me vdek një polic është normale që fëmijët tanë të jetojnë të sigurt”, kishte shtuar Kurti duke vazhduar t’i befasojë të pranishmit.

Në takimin që ka zgjatur tri orë, NjSI ia kishte shpjeguar kryeministrit kushtet e vështira në të cilat punojnë dhe i kishin prezantuar atij dhembjen që kanë ndjerë kur janë detyruar të dalin në protestë.

Prandaj, i kishin kërkuar një kompromis dhe një rrugëdalje nga situata, duke i ofruar edhe vetë opsione se si e mendojnë ata zgjidhjen.

Përkundër një dëshire të ministrit Murati për të gjetur një kompromis, siç i kishin treguar Albanian Post-it tri burime brenda takimit, Kurti kishte refuzuar çdo mundësi.

“Çfarë do thonë të tjerët nëse dorëzohem unë para juve?”, u kishte shtruar pyetje policëve që s’po i lëshonte habia nga ajo që po dëgjonin.

“S’jam dorëzu para BE-së e as para Amerikës, nuk mund të dorëzohem as para jush”, kishte vazhduar.

Kryeministri ua kishte pranuar policëve se ata mund të kenë të drejtë në kërkesat e shtruara, por aktualisht nuk është punë që gjen zgjidhje, meqë “nuk jam në gjendje të humbas”.

Në një moment gjatë takimit, të cilin – me të gjithë ata që ka biseduar Albanian Post – e kanë konsideruar si me tension, por mbi të gjitha “shumë të çuditshëm”, Kurti kishte akuzuar pjesëtarët e policisë për mënyrën se si kanë protestuar te Qeveria e Kosovës.

“Ne tash e kemi një çarje”, u ka thënë.

Atë ditë, ditën e protestës, “keni ardhur para qeverisë dhe ma keni kthyer shpinën”.

“Nuk keni bërë gjë me 24 shtator, i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca” – Ekskluzive: Fjalitë brutale që Albin Kurti ua tha Specialëve në takimin e 15 nëntorit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore