Sport

Kupa e Italisë/ 120 minuta, shtatë gola, tre kartona të kuq dhe Fiorentina që kualifikohet (VIDEO)


Ka përfunduar sifda e parë e kësaj të enjte në Kupën e Italisë, mes Napoli-t dhe Fiorentina-s. Në takimin e luajtur në “Diego Armando Maradona” triumfues dolën miqtë nga Firence, me rezultatin 5-2.

Ndeshja u luajt për raundin e 1/8-ve të Kupës. Më herët, Atalanta u kualifikua në raundin tjetër, pas fitores 2-0 me Venezia-n. Në mbrëmje, Milan-i do të përballet me Genoa-n.

Golin e parë të takimit do e shënonin miqtë. Autori ishte i përhershmi, Dusan Vlahovic-i. Serbi levizi mirë në brendësi të zonës, duke mundur të zhbllokohet nga markimi i kundërshtarit dhe e dërgoi topin, pas krahve të David Ospina-s, në minutën e 41.

Vetëm tre minuta më vonë, Dries Mertens-i do të vendoste barazpeshën në këtë sfidë. Portieri mik, Bartlomiej Dragowski, në tentativ për të larguar topin, ia dhuron kundërshtarit.

Pas një rrëmuje në zonën e Fiorentina-s, Andrea Petagna gjen të lirë, Mertens-in, me këtë të fundit që e dërgon topin në cepin e portës, ku portieri mik nuk mund të bënte asgjë për ta ndaluar.

Vetëm tre minuta më vonë, Dragovski do të ishte përsëri protagonist. Një top i kthyer keq nga mbrojtja, e detyroi portierin të ndalonte kundërshtarin duke shkaktuar faull. Duke qenë se ishte lojtari i fundit, polaku u ndëshkua direkt me kartonin e kuq.

Me fillimin e pjesës së dytë, Napoli do të ishte më kërkues, i ndihmuar edhe nga epërsia numerike. Por, do të ishin miqtë që do të shënonin përsëri të parët.

Në minutën e 57, Cristiano Biraghi, ekzekuton një faull afër zonës. Topi i gjuajtur prej tij, kap në murin mbrojtës dhe kthehet përsëri në këmbet e kapitenit, i cili kësaj here e dërgon në rrjetë.

Në minutat pasardhëse, Napoli do të bënte gjthçka. Dy kartona të kuq dhe një gol.

Meksikani, Hirving Lozano, shkakton faull ndaj kundërshtarit. Fillimisht ndëshkohet me karton të verdhë, por pas rishikimit në VAR, ngjyra e kartonit ndryshon. 26-vjeçari ndëshkohet me të kuq dhe vendos barazpeshën numerike mes skuadrave në fushë.

Nëntë minuta pas kartonit të kuq të Lozano-s do të vinte dhe kartoni i dytë për Napoli-n. Kësaj radhe ishte spanjolli, Fabian Ruiz-i, që do të ndëshkohej.

Mesfushori, ishte ndëshkuar më herët me kartonin e verdhë dhe kësaj radhe e kishte të dytin.

Vetëm dy minuta pas largimit me të kuq të Ruiz-it, Napoli arriti të gjente golin e barazimit. Në minutën e 90+5 dhe me nëntë lojtarë në fushë, Napoli barazon për 2-2. Në dallim nga goli i parë, Mertens-i ishte njeriu asist dhe Petagna njeriu gol.

Pas përfundimit të kohës së rregullt në shfrat 2-2, ndeshja do të shkonte në kohën shtesë të 30 minutave.

Pikërisht në shtese, Napoli do i vuante më shumë dy kartonat e kuq, pasi kundërshtari kishte epërsi numerike.

Në minutën e 105+1, Lorenzo Venuti shënon për 3-2. Ndërsa, në minuten e 108, i rikthyeri në Serie A, Krzysztof Piatek-u shënon për 4-2.

Youssef Maleh vulosi shifrat përfundimtare në 5-2, në minutën e 119.

Fiorentina u bë skuadra e dytë që kalon në raundin tjetër të Kupës, pas Atalanta-s.

Përballjet e tjera të raundit të 1/8-ve:

18 janar

Lazio – Udinese

Juventus – Sampdoria

19 janar

Sassuolo – Cagliari

Inter – Empoli

20 janar

Roma – Lecce

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore