Sport

Kualifikueset e Euro 2023, Bushi kërkon fitoren dhe arritjen e objektivit


Shqipëria U-21 do të përballet me Slloveninë, në fushën e këtyre të fundit, të premten e 12 nëntorit, për llogari të kualifikueseve të Euro 2023.

Në prag të ndeshjes, ishte tekniku Alban Bushi, i cili foli në konferencën për shtyp para gazetarëve.

Ai theksoi se “Shpresat” shkonin për tri pikët në Slloveni dhe se kërkojnë të arrijnë vendin e dytë në grup në këto kualifikuese.

Tekniku foli rreth gjendjes fizike të skuadrës, të cilën e shikon si optimale dhe gjithashtu ka theksuar se afrimi i Muçit ka rritur mundësinë e alternatiave në sulm.

“Gjendja është shumë e mirë. Fizikisht thuajse janë të gjithë mirë, me një përjashtim të Asllanit që ka marrë një goditje dje, por është diçka e lehtë”, tha Bushi.

“Kjo është diçka pozitive, sepse si asnjëherë më parë grupi është i plotë. Na është afruar edhe (Ernest) Muçi ditën e fundit, për këtë dua të falënderoj edhe trajnerin Reja, i cili na dha mundësinë që të kemi edhe Muçin dhe të kemi sa më shumë alternativa për ndeshjet me Slloveninë dhe Kosovën”.

“Jemi të fokusuar shumë te kjo ndeshje sepse është shumë e rëndësishme për ne, por gjithsesi është një ndeshje futbolli dhe i ka të tria rezultatet brenda, pavarësisht se ne do të shkojmë për ta fituar atë ndeshje pasi jemi më të mirë se Sllovenia dhe e kemi treguar edhe këtu në Elbasan”.

“Por jemi më të mirë atëherë kur ne bëjmë më të mirën, kur japim maksimumin në fushë. Mendojmë që e di çdokush nga lojtarët se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne dhe se sa shumë duhet të luftohet për ta fituar, sepse nëse fitojmë, atëherë mund të kemi mundësi më shumë për t’iu afruar vendit të dytë”, shtoi ish-sulmuesi i Kombëtares kuqezi nga 1995-2007.

Bushi foli për kundërshtarin dhe rëndësinë që i kanë dhënë, duke shpresur njëkohësisht se lojtarët do të japin maksimumin në këtë përballje.

“I kemi dhënë rëndësi këtij kundërshtari si të gjithë ekipet e tjera, pavarësisht se kemi ndryshuar diçka në përbërjen tonë, taktikën dhe strategjinë tonë, dhe këtë do ta shohim ditën e ndeshjes”, theksoi 48-vjeçari.

“Shpresoj që lojtarët do ta bëjnë shumë mirë, e kanë bërë shumë mirë në stërvitje. Jemi përqëndruar sidomos te kundërsulmi dhe do të mbrohemi shumë mirë, por në momente të caktuara duhet të mbajmë dhe topin dhe të kemi sa më pak lodhje”.

“Mendoj që ekipi është përgjigjur mirë këto 2-3 ditë dhe kam shumë besim pasi i shoh shumë të karikuar dhe në çdo gjë që bëjmë, ata janë shumë të saktë dhe e kuptojnë shumë mirë strategjinë që duhet të ndjekin për këtë ndeshje”.

“Kemi bërë analiza, jemi stërvitur në kushte shumë të mira, sot kemi edhe stërvitjen e ditës së ndeshjes në stadium dhe mendoj që do të shkojë çdo gjë mirë”, vijoi të thoshte tekniku kryeqytetas.

Në fund, ai foli edhe për objektivin që ka skuadra në këto kualifkuese. Bushi u shpreh besimplotë se çfarëdo që të ndodhë në përballjen me sllovenët, përsëri “Shpresat” mbeten në lojë për kualifikimin.

“Kam shumë besim që këtë edicion do të bëjmë shumë mirë, por kjo varet e gjitha nga ndeshja me Slloveninë”, shtoi Bushi.

“Ne kemi 9 pikë dhe mendoj se çfarëdo të ndodhë me Slloveninë, ne prapë do të jemi në lojë, por nuk besoj se do të ndodhë humbja. Unë kam shumë besim se ne do të fitojmë dhe do të jemi shumë pranë vendit të dytë”.

“E thashë edhe në konferencën e parë për shtyp që, nëse ne do të fitojmë, do të kemi më pas mundësi të marrim edhe lojtarë nga ekipi i parë, pasi nuk ka ndeshje në muajin mars, ku do të luajmë ndaj Çekisë dhe Anglisë dhe do të kemi më shumë alternativa, si (Marash) Kumbulla, (Armando) Broja”.

“Por gjithsesi, fokusi ynë është te kjo ndeshje me Slloveninë që duhet ta fitojmë patjetër. U kërkoj lojtarëve që të japin maksimumin, pasi në futboll janë të tria rezultatet”.

“Por kur jep maksimumin, pranohet çdo lloj rezultati. Në të kundërt është problem”, përfundoi prononcimin për mediat tekniku i U-21.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore