Lajme

Kryetari i Gjilanit nga VV: Nëse themelohet Asociacioni, e radhës do jetë Republika Serbe në Kosovë


Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni

Sipas kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni, Kosova nuk duhet ta lejojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, “nëse themelohet Asociacioni, e radhës do jetë Republika Serbe në Kosovë”.

Ai ka thënë se kërkesat e Serbisë ishin fillimisht decentralizimi mbi baza etnike, duke pasuar përgjegjësitë e zgjeruara për komunat me shumicë serbe nga Plani i Ahtisaarit.

“Pastaj erdhën marrëveshjet e Brukselit që shtuan përgjegjësi në gjyqësor, energjetikë dhe të tjera. Tash po këmbëngulet në Asociacion një-etnik dhe dimension territorial. Serbia nuk do të ndalet, nëse themelohet Asociacioni, kërkesa e radhës do të jetë Republika Serbe”.

Hyseni thotë se për të vërejtur këtë strategji të Serbisë, s’duhet të ketë ndonjë “profeci të madhe”.

“Për ta lexuar strategjinë e Serbisë, nuk duhet ndonjë profeci e madhe, mjafton të kthehemi pak mbrapa. Sa herë kemi bërë lëshime ndaj Serbisë, ajo nuk është ndalur, por i ka shtuar apetitet. Kompromiset tona nuk i kaptuar si gjenerozitet, por vetëm si dobësi”.

Kërkesë e kryetarit të Gjilanit, është që Serbia të ndalet sa më shpejt.

“Serbinë duhet ta ndalim sot, në të kundërt nuk do të ketë kuptim ta ndalim më vonë sepse nuk do të ketë më Kosovë”.

Nga LVV-ja është theksuar se janë “kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike”.

Ndryshe, përmes një teksti autorial nga Derek Chollet dhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, të publikuar nga mediumi Kossev, është bërë thirrje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Nga Chollet dhe Escobar është thënë se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar 10 vjet më parë. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore