Lajme

Chollet dhe Escobar me letër të hapur: Ka ardhur koha për Asociacionin


Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Përmes një teksti autorial nga Derek Chollet dhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, të publikuar nga mediumi Kossev, është bërë thirrje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Nga Chollet dhe Escobar është thënë se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

“Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian”.

“Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në tekstin e tyre.

Zyrtarët amerikanë shprehen se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, mirëpo që konsiderojnë se “tani ka ardhur koha” të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”.

“Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tekstin e tyre autorial.

Chollet dhe Escobar kanë theksuar se e kundërshtojnë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.

“Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”.

Ata konsiderojnë se Asociacioni nuk do t’i shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

“Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare”.

“Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – siç bëjnë shumë veta tani – dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar”.

Duke shtuar se, “është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik”.

“Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë –të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”, thonë ata.

Sipas tyre, duke marrë këtë hapë Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantik.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar 10 vjet më parë. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore