Lajme

Kryeredaktori i AP-së pas intervistimit: Padinë e kam nga pushteti – prokurorja ishte në siklet


Lirimi Mehmetaj

Kryeredaktori i Albanian Post, Lirim Mehmetaj, ka thënë se padia i është bërë nga eksponentë të pushtetit, pra deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, derisa ka theksuar se gjatë intervistimit, prokurorja e rastit ka qenë e “shqetësuar”, dhe të njëjtës i ka ofruar “ndihmë” në rast se gjendet nën presion nga dikush.

Këto komente, gazetari Mehmetaj i ka bërë në një prononcim për media, pas intervistimit nga prokurorja e rastit, Rukije Shasivar, e cila e ftoi gazetarin në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Mehmetaj, para mediave, ka theksuar se gjatë intervistimit i ka ofruar ndihmë prokurores së rastit, që në rast se ka presion nga dikush, mediat do të jenë në anën e saj, për ta ekspozuar këdo që e ka shtyrë atë ta bëjë një veprim të tillë.

“Unë nuk pata çka me deklaru, as nuk mora avokat, sepse nuk e trajtoj proces të rregullt ligjor. Prokurores i ofrova ndihmë, i thash kushdo që ka bërë presion, ne jemi në anën tende, dhe mundemi me ekspozu atë lloj shantazhusi që të ka detyru dhe obligu me përfshi vetën në këtë gabim, që mundet me kushtu edhe me karrierë, ulje page”, ka deklaruar ai.

I pyetur se nga kush e ka padinë, ai ka bërë të ditur se e njëjta është bërë nga deputetit, siç e qujati ai, “fashist” Basha.

“Mu më ka bë kallëzim penal pushteti, përmes deputetit fashist Dimal Basha. Basha e ka bërë një pretendim që disa qytetarë të një rajoni të Kosovës kanë mangu bioligjiksht diçka nga disa qytetarë, ai ka nënkuptu që qytetarët e Drenicës që vijnë në Prishtinë, duhet mos me pasë kërkesa të shtuara, qysh thotë ai, ‘po lypin me u nxe’”, shtoi.

Sipas gazetarit Mehmetaj, pasi që ka ekspozuar gjuhën fashiste të deputetit Basha, ai është akuzuar se ka krijuar “mosdurim dhe përçarje”.

“Këtë gjuhë fashiste e kam ekzpozu, unë përfundoj këtu, paramendojeni me çfarë akuze, se kam kriju mosdurim dhe përçarje…Prokurorja u shihke që është e shqetësume, që nuk është rehat. Tash mbase gjindet në një dilemë që nuk do ta kisha parë askënd”.

Lidhur me rastin e gazetarit Mehmetaj, ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, personalitete të rëndësishme publike, opozita, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës etj, të cilët njëzëri e kanë dënuar veprimin e prokurores për thirrjen e kryeredaktorit të AP-së në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Gabim profesional i pafalshëm i prokurores, cenim i lirisë së shprehjes”, njohësit e çështjeve juridike komentojnë “Rastin Mehmetaj”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore