Lajme

“Gabim profesional i pafalshëm i prokurores, cenim i lirisë së shprehjes”, njohësit e çështjeve juridike komentojnë “Rastin Mehmetaj”


Prokuroria Themelore në Prishtinë

Ftesa që Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht prokurorja, Rukije Shasivari, i ka bërë Lirim Mehmetajt, kryeredaktorit të Albanian Post, në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, nga njohësit e çështjeve juridike po konsiderohet si “cenim i të drejtës kushtetuese të Lirisë së Shprehjes”, por edhe “gabim fatal” i prokurores përkatëse që ka iniciuar rastin.

Kjo ftesë e Prokurorisë për gazetarin Mehmetaj vjen pas një kallëzimi penal të dorëzuar nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – partisë në pushtet.

Mirëpo, sipas Ehat Miftarajt, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), njëri nga njohësit më të mirë të çështjeve juridike në vend, prokurorja Shasivari në rastin e Mehmetajt ka bërë një “gabim profesional të pafalshëm”, derisa ka argumentuar një gjë të tillë.

Këto komente, Miftaraj i bëri përmes një postimi në Facebook, ku tha se prokurorja në fjalë ka iniciuar një rast “që i takon kompetencave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”.

“Ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve pa e marr fare në pyetje gazetarin Mehmetaj”, shtoi ai.

Reagim për rastin pati edhe nga avokati Faton Fetahu.

Fetahu, përmes një postimi në Facebook, është shprehur i bindur se hedhja nga Prokuroria e kallëzimit penal të ushtruar kundër gazetarit Mehmetaj “është e paalternativë”.

“Ftesa e tij nga prokuroria, në radhë të parë është alarm për cenimin e rolit dhe funksionit kushtetues dhe ligjor të prokurorit nga prokurorja Rukije Shasivari dhe në radhë të dytë, cenim i pashembullt i të drejtës kushtetuese të Lirisë së Shprehjes”, shkroi ai.

Sepse, shpjegoi Fetahu, sikurse secila vepër penale, edhe vepra “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, për t’u konstituuar dhe kualifikuar si e tillë, “kërkon mbështetjen në elementet e figurës së veprës” e të cilat, ka bërë me dije ai, si të tilla, në rastin e Mehmetajt “as që ekzistojnë”.

“Ky i fundit, as nuk ka nxitur e as përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare dhe etnike, por ka shprehur vetëm mendimet dhe bindjet e tij të lira politike dhe qytetare për zhvillimet të cilat lidhje nuk kanë me këto baza”, shtoi.

Ndërsa, sipas avokatit të njohur Xhevdet Smakiqi, nuk ka gjasa të kalojë ndonjë pretendim i Prokurorit të Shtetit ndaj lirisë së shprehjes së gazetarit Mehmetaj për kinse veprën penale nxitja e përçarjes apo mosdurimit nga neni 141 i KPK-së”

“Neni 40 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e shprehjes, Konventat Ndërkombëtare të zbatueshme direkt me nenin 22 të Kushtetutës se Kosovës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg kanë vërtetuar ne shumë raste te gjykuara se gjuha e përdorur ndaj personave me përgjegjësi ekzekutive publike e politike nga secili qytetarë apo gazetarë nuk mund të kufizohet as ndalohet sepse përbënë thelbin e lirisë së shprehjes dhe medias”, ka shkruar Smakiqi.

Lexo edhe këtë: Isa Mustafa për “Rastin Mehmetaj”: S’është vepër penale kur ai që manifeston sjellje fashiste të quhet fashist

Prandaj, sipas tij, Prokurori i Shtetit “pa e paragjykuar njëanshmërinë e tij me një shqyrtim paraprak te pretendimeve te palës ankuese do te duhej ta mbyllte rastin pas pasur nevojë për ftesë te intervistimit”.

“Në raportet e BE-së për vitin 2024 ky rast ndaj Lirim Mehmetaj do te regjistrohet si tendencë e ndërhyrjes në pavarësinë e media dhe cenimit te lirisë se shprehjes. Lirimi nuk ka nevojë fare për asnjë mbrojtës sepse e mbron neni 40 i Kushtetutës së Kosovës”.

Ndër të shumtë reagime për këtë rast, ishte edhe ai i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj).

Përmes një reagimi publik, KMDLNj e ka cilësuar si standard të dyfishtë në sistemin e drejtësisë, çështjen e kallëzimit penal ndaj kryeredaktorit të AP-së, meqë në vlerësimin e tyre gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kabinetit qeveritar dhe së paku 8 deri në 10 analistë do të duhej të ftohen nga kjo Prokurori për vepra shumë më të rënda.

“Mjafton të përcillen debatet televizive dhe postimet në Facebook si dhe në portale të shumta pas së cilave një Pavijon i Burgut në Dubravë do të rezervohej për këto raste”, potencohet në komunikatë.

Duke komentuar veprën penale mbi të cilën akuzohet gazetari Mehmetaj nga Prokuroria, KMDLNj vlerëson se kjo vepër është e barasvlershme me veprën penale në kohën e Jugosllavisë që cilësohej si Propagandë Armiqësore.

“Me këtë ligj dënoheshin kryesisht shqiptarët dhe kundërshtarët politikë të regjimit komunist të atëhershëm. Gazetari Lirim Mehmetaj bëri hulumtime dhe nxori materiale nga arkiva për ish – bashkëpunëtorët e regjimit jugosllav dhe serb, pasardhësit e të cilëve janë në majat apo institucionet e rëndësishme të regjimit aktual”.

“Prokuroria u tregua shumë e shpejtë në reagim ndaj gazetarit Mehmetaj, pas denoncimit nga një person i paidentifikuar deri më tani në ndërkohë që nuk reagoi fare ndaj trajtimit publik puro racist ndaj gazetarit Mehmetaj nga një ‘analist’ i regjimit, ditë më parë për shkak të prejardhjes territoriale nga vjen Lirim Mehmetaj”.

Ndër të tjera, në komunikatën e lëshuar për media të mërkurën, KMDLNj, ka konsideruar rastin e Mehmetaj si përndjekje e motivuar politikisht për t’ia pamundësuar “bërjen publike të së vërtetës për një të kaluar kompromituese të një pjese të regjimit aktual”.

Pas reagime të shumta, një i tillë u bë edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila, përmes një komunikate për media, njoftoi se cëhstjen e kallëzimit penal ndaj Mehmetajt, do të analizohen dhe vlerësohen veprimet e prokurores së rastit që mund t’i ketë tejkaluar kompetencat jashtëligjshëm.

“Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, u tha në njoftimin e prokurorisë.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet ndër të tjera se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Lidhur me rastin e gazetarit Mehmetaj, ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, personalitete të rëndësishme publike, opozita, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës etj, të cilët njëzëri e kanë dënuar veprimin e prokurores për thirrjet e kryeredaktorit të AP-së në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore