Lajme

Isa Mustafa për “Rastin Mehmetaj”: S’është vepër penale kur ai që manifeston sjellje fashiste të quhet fashist


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mendon se nuk ka elemente për vepër penale në rastin e kryeredaktorit të Albanian Post, Lirim Mehmetaj edhe pse Prokuroria njoftoi se ka një kallëzim penal ndaj Mehmetajt, pas kritikës që ky i fundit ia bëri deputetit të pushtetit, Dimal Basha, i cili kishte ofenduar qytetarët e rajonit të Drenicës.

“Nuk është vepër penale që ai që manifeston sjellje fashiste të quhet fashist. Shkelje e ligjit do të ishte që njerëzit e tillë të mos e marrin vlerësimin që u takon, të mbytet mendimi dhe zëri i lirë”, tha Mustafa në një bisedë për AP.

Për ish-kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëse organi i akuzës do të merrej me kualifikime të tilla si vepra penale, atëherë mund të shtrohen gjitha rrugët e Kosovës me padi “për sulmet, kërcënimet dhe fyerjet nga njerëzit e pushtetit dhe sistemi i drejtësisë do t’ia vejë drynin vetes”.

“I vlerësoj lart shkrimet, komentet por edhe debatet (kur mund t’i përcjell) të gazetarit Mehmetaj. Vlerësoj edhe reagimet e mediumeve të lira sikurse edhe prononcimin e sotëm të Prokurorisë së Prishtinës lidhur me këtë rast”, potencoi Mustafa.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp të mërkurën se në çështjen e kallëzimit penal ndaj Mehmetajt, do të analizohen dhe vlerësohen veprimet e prokurores së rastit që mund t’i ketë tejkaluar kompetencat jashtëligjshëm.

“Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, u tha në njoftimin e prokurorisë.

Reagimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë erdhi pas ftesës që u dërgua të martën në adresën e kryeredaktorit të Albanian Post për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” pas dorëzimit të një kallëzimi penal ndaj Mehmetaj nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet ndër të tjera se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. E për këtë çështje reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke e cilësuar alarm për demokracinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore