Lajme

Presidenti i Kinës sulmon NATO-n për bombardimin e Serbisë para vizitës në Beograd


Xi Jinping

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në prag të vizitës në Serbi të martën, akuzoi NATO-n për bombardimin e ambasadës kineze në Beograd gjatë fushatës ajrore të aleancës ushtarake kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ) në vitin 1999.

“NATO bombardoi në mënyrë flagrante ambasadën kineze në Jugosllavi njëzet e pesë vjet më parë, duke vrarë tre gazetarë kinezë. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Kina vlerëson paqen, por kurrë nuk do të lejojë që kjo tragjedi historike të përsëritet”, deklaroi presidenti i Kinës.

“Miqësia midis Kinës dhe Serbisë që është farkëtuar me gjakun e bashkatdhetarëve tanë, do të mbetet në kujtesën e përbashkët të popukinezë dhe serb”, shtoi ndër të tjera ai, në bazë të versionit anglisht të letrës së Jinpingut të publikuar nga tabloidi serb “Politika” të martën.

Sivjet u bënë një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO ndërhyn në një territor sovran pa pasur mandat të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë e Kinës. Por, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore