Zgjedhjet në Shqipëri

Kryeprokurori Çela kërkon hetim për krimet në kuadrin e fushatës zgjedhore


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, të enjten e 29 prillit, u ka dërguar një shkresë organeve kompetente për marrjen e masave administrative dhe proceduriale për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Përkatësisht shkresa u ka shkuar të gjitha prokurorive përkatëse të rrethit Gjyqësor, prokurorive të Apeleve dhe drejtorive dhe sektorëve përkatës për këtë çështje.

“Për intensifikimin e masave administrative dhe procedurale për hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në fushën e zgjedhjeve”, shkruhej në kërkesë.

Çela ka kërkuar një hetim të plotë të krimeve zgjedhore. Si dhe shqyrtimin e të gjitha ankesave të ardhura nga partitë politike.

Më 27 prill, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar se subjektet politike, që kanë bërë kallëzime në lidhje me fushatën zgjedhore, vetëm kundrejt 32 prej tyre ka nisur procedimi penal.

Për të gjitha rastet që janë në hetim, SPAK-u ka garantuar se do të vazhdojnë të hetohen me përparësi, me metoda pro aktive, objektivitet dhe pa asnjë hezitim, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të fakteve të pretenduara.

Hetimet do të jenë të veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

Në SPAK janë paraqitur 91 materiale.

55 raste janë nga subjektet politike, ku përfshihen 50 nga Partia Demokratike, tre nga Lëvizja Socialiste për Integrim, një nga Partia Socialiste dhe një nga Fryma e Re Demokratike.

Ndërsa 18 raste u paraqitën nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

SPAK-u ka vlerësuar të gjitha kallëzimet nga subjektet politike për periudhën mars-prill 2021.

Vendimi i SPAK-ut e ka përshëndetur dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Kjo e fundit ka zhvilluar takime të shpeshta me Çelën. Takimet kanë ardhur për mbështetjen dhe marrjen e masave të menjëhershme për hetimin e këtyre kallëzimeve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore