Zgjedhjet në Shqipëri

Prokurori i Përgjithshëm reagon pas takimit me Yuri Kim


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mesditën e 22 prillit, deklaroi se janë marrë të gjitha masat administrative dhe procedurale për periudhën para dhe pas zgjedhore.

Deklarata e tij erdhi pas takimit që zhvilloi me ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

Në qendër të diskutimit ishin masat “që ka marrë dhe do të marrë Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar zbatimin e ligjit ndaj kujtdo që do të cenojë procesin zgjedhor përmes veprave penale”.

“Kjo ka ardhur për të garantuar funksionimin normal të Prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore”.

Çela u bëri thirrje drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen drejtpërdrejt përgjatë procesit.

“Duhet të tregohet profesionalizëm dhe angazhim maksimal në përmbushjen e detyrave tuaja”, shkruhej në deklaratë.

Për më tepër, Çela theksoi faktin se duhet të vlerësohet me seriozitet dhe në kohë çdo kallëzim apo e dhënë për kryerjen e veprave penale që cënojnë procesin e zgjedhor.

“Nga ana juaj pritet që të vini menjëherë përpara përgjegjësisë penale këdo që përmes veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme nga ato që parashikohen nga Kodi Penal do të tentojë apo do të vendosë në rrezik integritetin e procesit zgjedhor”.

Duke shtuar se çdo zvarritje apo mungesë verpimi në hetime “është e dëmshme dhe nuk tolerohet”.

Në përfundim të deklaratës, Kryeprokurori shprehet se prokuroritë do të sigurojnë transparencë të plotë të veprimtarisë në përputhje me ligjin.

“Qytetarët shqiptarë presin prej jush të tregoni kurajë dhe vendosmëri. Duke kryer detyrën në paanësi dhe pavarësi të plotë. Ju do të keni të gjithë mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm në përmbushjen e funksioneve tuaja”, mbyllet deklarata e Çelës.

Reagimi i Çelës dhe takimi me ambasadoren Kim, erdhi pas ngjarjes që ndodhi në Elbasan, mesditën e 21 prillit.

Pas një përplasjeje me armë ngeli i vdekur Pjerin Xhuvani, ish-anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe katër të tjerë u plagosën.

Autori u identifikua, Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore