Shqipëria

3.3 milionë turistë hynë në Shqipëri deri në maj, rritje me 38% nga viti i shkuar


Turizmi është kthyer në asetin kryesor të ekonomisë shqiptare dhe kjo nuk ka diskutim, ku rritja ka vijuar të jetë uniforme edhe për muajin maj, duke paraqitur shifra që janë në rritje me thuajse 40% nga viti i shkuar, i cili në vetvete vendosi një standard rekord prej 10 milionë turistësh të huaj në vend.

Në total, në periudhën janar-maj 2024, numri i të huajve regjistroi shifrën mbi 3.3 milionë apo 38.2% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Vetëm gjatë majit, kanë hyrë në Shqipëri 973 mijë të huaj.

Instituti i Statistikave publikoi lëvizjen e shtetasve, ku rezulton se gjatë muajit maj 2024, të kenë hyrë, në territorin shqiptar, 1 milionë e 606 e mijë e 520 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Ky tregues ka shënuar rritje me 30,6%, krahasuar me maj 2023.

Nga ana tjetër, 1 milion e 615 mijë e 862 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 30,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në maj 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 632 mijë e 832, duke shënuar një rritje me 20,5%, krahasuar me maj 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 973 mijë e 688”, shkruhet në publikimin e INSTAT.

Ky numër është rritur me 38,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sipas statistikave në Maj 2024, krahasuar me Maj 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 37,9%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 45,0%; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 48,3%.

I njëjti vlerëson se në muajin Maj 2024, 662.095 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 23,9%, krahasuar me Maj 2023.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Maj 2024, janë 953.767. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 36,0%.

Në Maj 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 927.906 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 24.191 dhe 8.219 shtetas, vlerëson INSTAT.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore