Kosova

Kryeministri tha se Vuçiç ia refuzoi ofertën për asociacionin, Staroviç: Kurti po tallet dhe po na ofendon


Nemanja Staroviç

Sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviç, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ia refuzoi ofertën bujare për një asociacion të hartuar dhe propozuar nga vetë ai.

Staroviç është thirrur në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 që përfshinte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo marrëveshje më pas ishte ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Kur përpiqeni të jeni të zgjuar, por vetëm konfirmoni arrogancën tuaj. AKS-ja është e përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të cilën Kosova e nënshkroi dhe e ratifikoi”, shkroi fillimisht Staroviç në Twitter.

“Kurti, duke ofruar të cilësojë si një akt bujarie, po tallet me dialogun dhe po i ofendon serbët. Marrëveshjet e mëparshme përcaktojnë qartë se kush do ta hartojë statutin e AKS-së dhe definitivisht nuk është Kurti, por vetë serbët vendas”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Kryeministri Albin Kurti, në një cicërimë në llogarinë e tij në Twitter, e ka pranuar që ai vetë i ka ofruar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një asociacion të komunave për serbët e Kosovës. Brenda atij asociacioni serbët do të vetë-menaxhonin, ka thënë Kurti dhe draftin e propozimin do ta bënte vetë.

“Pasi refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se ta refuzonte sërish nënshkrimin me 18 mars për Aneksin, presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time zemërgjerë për vetëmenaxhim për serbët e Kosovës, në një asociacion që unë do ta draftoja dhe propozoja”, shkroi ai.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë u pajtuan më 18 mars, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por Vuçiç ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Kurti e pranon: Ia kam ofruar Vuçiç-it Asociacionin, por ai ka refuzuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore