Lajme

Kurti e pranon: Ia kam ofruar Vuçiç-it Asociacionin, por ai ka refuzuar


Ilustrim/Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një cicërimë në llogarinë e tij në Twitter, e ka pranuar që ai vetë i ka ofruar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një asociacion për serbët e Kosovës. Brenda atij asociacioni serbët do të vetë-menaxhonin, ka thënë Kurti dhe draftin e propozimin do ta bënte vetë.

“Pasi refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se ta refuzonte sërish nënshkrimin me 18 mars për Aneksin, presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time zemërgjerë për vetëmenaxhim për serbët e Kosovës, në një asociacion që unë do ta draftoja dhe propozoja”.

“A është ai Doktor Jo-ja, apo Zotëri Jo-ja (Nyet). Mirë, e dimë që doktor nuk është”, shkroi ndër të tjera kreu i ekzekutivit, pak ditë pasi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas tetë orësh bisedime, më 18 mars në Ohër,

Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë, paraprakisht janë pajtuar me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shënim: Andrei A. Gromyko, ish-ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik përdorte shpesh të drejtën e vetos në ditët e para të Kombeve të Bashkuara. Aq e njohur ishte vetoja sovjetike, sa që Gromyko u bë i njohur si “Z. Nyet”, fjalë për fjalë do të thotë “Zoti Jo”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore