Lajme

Kreu i OBSH-së kritikon komunitetin ndërkombëtar për fokusin e luftës në Ukrainë, ndryshe nga ajo në Etiopi


Tedros Adhanom Ghebreyesus

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka kritikuar komunitetin global, për fokusin që po i kushton luftës në Ukrainë.

Ai ka argumentuar se krizat diku tjetër – duke përfshirë vendin e tij Etiopinë – nuk po merren parasysh në mënyrë të barabartë, ndoshta sepse njerëzit e prekur nuk janë të bardhë?!

Po ashtu, Tedros vuri në pikëpyetje, “nëse bota vërtet u kushton vëmendje të barabartë jetëve bardhë e zi”, duke pasur parasysh se përballë urgjencave të vazhdueshme në Etiopi, Jemen, Afganistan dhe Siri, shqetësuese ishin vetëm ato për Ukrainën.

“Që nga shpallja e armëpushimit në Tigray tri javë më parë, në zonën e përfshirë nga konflikti duhet të ishin dërguar rreth 2 mijë kamionë me ushqime, medikamente dhe gjithçka tjetër të nevojshme”, tha ai gjatë një konference për shtyp online nga Gjeneva të mërkurën.

Por, në vend të kësaj, sipas tij “vetëm rreth 20 kamionë kishin mbërritur”.

Tedros nuk u ndal me kaq.

“Ndërsa flasim, njerëzit po vdesin nga uria”, tha ai, i cili më parë ka mbajtur edhe postin e ministrit të Shëndetësisë në Etiopi dhe një Tigrayan etnik.

“Ky është një nga rrethimet më të gjata dhe më të këqija nga forcat eritreane dhe etiopiane në historinë moderne”, theksoi më tej.

Tedros Adhanom Ghebreyesus

Ndonëse pranoi se lufta në Ukrainë ishte globalisht e rëndësishme, parashtroi gjithashtu nëse krizave të tjera po u kushtohej vëmendja e mjaftueshme.

“Duhet të jem i hapur dhe i sinqertë, se bota nuk po e trajton racën njerëzore në të njëjtën mënyrë”, tha ai. “Disa janë më të barabartë se të tjerët”.

Gjatë fjalës, Tedros e përshkroi situatën në Tigray si tragjike, edhe pse “shpreson që bota të kthehet në vete dhe ta trajtojë të gjithë jetën njerëzore në mënyrë të barabartë”.

Ai kritikoi gjithashtu dështimin e medias për të dokumentuar mizoritë në Etiopi, duke vënë në dukje se njerëzit ishin djegur të gjallë.

“Unë as nuk e di nëse kjo është marrë seriozisht nga media?!”, tha ai.

Në fillim të këtij viti, qeveria etiopiane i dërgoi një letër OBSH-së, me anë të së cilës akuzonte Tedrosin për “sjellje të pahijshme”, pas kritikave të tij të ashpra ndaj luftës dhe krizës humanitare në vend.

Ai tha se Tedros po përdorte zyrën e tij “për të çuar përpara interesat e tij politike në kurriz të Etiopisë” dhe tha se vazhdonte të ishte një anëtar aktiv i Frontit Çlirimtar të Popullit Tigray.

Tedros ishte ministri i Jashtëm dhe ministër i Shëndetësisë i Etiopisë, kur TPLF dominonte koalicionin qeverisës të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore