Shqipëria

Krenari dhe dhimbje në ‘Londrën e Vogël’ të Shqipërisë


Në bashkinë e Hasit, flamuri i Union Jack zë një vend të veçantë. Po ashtu edhe mbretëresha e ndjerë Elizabeth II.

Njëfarë shprehje e mirënjohjes ndaj Mbretërisë së Bashkuar pasi qyteti i vogël, i quajtur “Londra e Vogël”, u detyrohet gjithçka banorëve që u larguan për të gjetur punë përtej Kanalit.

Por tani ata janë të indinjuar nga akuzat nga Londra se janë pjesë e një “pushtimi” emigrantësh.

Për banorët, largimi për në Mbretërinë e Bashkuar i lejon ata të përballojnë jetesën me dhimbjen, udhëtimet e rrezikshme dhe punën e palodhur.

Nga të cilat përfitojnë edhe punëdhënësit e tyre britanikë.

Sipas statistikave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, shqiptarët janë grupi më i madh i vetëm që bëjnë kalime me gomone të vogla të Kanalit. Mbi 12 mijë kanë mbërritur atje vetëm këtë vit krahasuar me 50 në vitin 2020.

Për dekada të tëra, shqiptarët janë larguar nga papunësia.

Kryebashkiaku i Hasit, Liman Morina, ka treguar për “AFP”-në se 80 për qind e zgjedhësve të tij “mbijetojnë falë punës së palodhur dhe të ndershme të të afërmve të tyre në Britani”.

Kurse sociologu Klodian Kastrati ka treguar se “emigracioni është një epidemi që prek të gjithë të rinjtë këtu të kontaminuar nga ideja për t’u larguar në Britani me shpresën për të krijuar një të ardhme më të mirë”.

Dhe se emigrimi është “i vetmi burim real për të mbështetur banorët e Hasit”.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Morina ka shpallur së fundmi tenderin për projekte për ndërtimin e shtatores së Mbretëreshës Elizabth II.

Që kur Shqipëria hapi kufijtë në vitet 1990, banorët janë larguar masivisht, të dëshpëruar për t’i shpëtuar vështirësive dhe izolimit, pasi përballuan shtypjen brutale në duart e diktaturës komuniste të vendit.

Gati 1.7 milionë shqiptarë janë larguar, veçanërisht për në Itali, Greqi dhe Britani të Madhe.

Te kjo e fundit jetojnë gati 140 mijë shqiptarë, ku disa iu bashkuan shqiptarëve të Kosovës që gjetën strehim atje gjatë luftës kundër forcave serbe në fund të viteve 1990.

Teksa më të pasurit mund t’i dërgojnë fëmijët në universitetet britanike, shumica e shqiptarëve punojnë në ndërtim.

Granit Gojani ka treguar se thashethemet për nevojën për punë në Mbretërinë e Bashkuar, nën efektin e kombinuar të pandemisë dhe Brexit-it, kanë qarkulluar me shpejtësi rrufeje.

31-vjeçari, pasi ka jetuar në Londër për një dekadë, është kthyer në Has për të hapur lokalin e tij.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar rritjen e numrit të shqiptarëve në anën e tyre të Kanalit, duke përfshirë edhe kontrabandistët.

Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman, ka folur për një “pushtim” të emigrantëve dhe ka veçuar “kriminelët shqiptarë”, duke shkaktuar zemërim.

“Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa”, ka shkruar asokohe në Twitter kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar duhet t’i ndalojë diskriminimet për të justifikuar dështimet e politikave.

Paçka se disa janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, ata nuk mund të përfaqësojnë të gjithë.

“Një grusht njerëzish që kanë probleme me ligjin nuk mund të dëmtojnë një komunitet të tërë, duke përfshirë biznesmenë, mësues, mjekë, punëtorë ndërtimi dhe fëmijë që aspirojnë të rriten”, ka dalluar Gojani.

Familja e Drita Meshit pësoi një humbje shkatërruese në vitin 2016 dhe që atëherë ajo e ka bërë synimin e jetës së saj të bindë të rinjtë shqiptarë që të qëndrojnë.

Djali i saj, i cili u zhvendos në Angli për të kërkuar një jetë më të mirë, u vra nga dy adoleshentë britanikë, të cilët hapën zjarr në makinën ku ai flinte.

Ai ishte 32 vjeç.

Meshi punon në bashkinë e Hasit dhe dëshiron të tërheqë investime në mënyrë që të rinjtë të kenë një nxitje për të ndërtuar jetën e tyre më afër shtëpisë.

“Për mua emigracioni është një plagë që ende rrjedh gjak”, ka thënë ajo me lot në sy.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore