Lajme

Krasniqi në Viti: Qeveria po i trajton me standarde të dyfishta komunat


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Viti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarja Vlora Çitaku dhe sekretari Bajrush Xhamajli, ka vizituar të martën Komunën e Vitisë, për të takuar strukturat e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës, me të cilat diskutuam për zhvillimet aktuale në vend.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke i trajtuar me standarde të dyfishta komunat.

“Fatkeqësisht, të udhëhequr nga një mentalitet prej militanti idhnak, Qeveria e Kosovës po i trajton me standarde të dyfishta komunat e Republikës tonë”, ka shkruar Krasniqi në ‘Facebook’.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Viti.

Tutje, ai ka thënë se çmimet janë duke vazhduar të rriten ndërsa qeveria nuk është duke dalur me një pako të qëndrueshme.

“Në këtë krizë të madhe ekonomike, ku çdo ditë çmimet e produkteve ushqimore, të derivateve dhe të energjisë po rriten, Qeveria akoma nuk ka dalë me një pako të qëndrueshme dhe domethënëse për të gjithë qytetarët tanë”.

Krasniqi, ka kërkuar përkrahje të veçantë ndaj bujqve dhe fermerëve të Vitisë.

“Bujqit dhe fermerët e Vitisë, ashtu sikur ndërmarrësit dhe punëtorët e sektorit publik e privat, kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe mbështetje. Si parti lidere e opozitës, Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet parreshtur për të shtyrë përpara politikat dhe kauzat, në të mirë të përmirësimit të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Vitisë”.

Ndryshe, instituti GAP, përmes raportit “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investimet kapitale”, ka zbuluar që Komuna e Kamenicës e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, është e para në listën e komunave që do të përfitojnë më së shumti nga projektet e reja kapitale të ministrave për vitin 2022.

Kjo komunë ka lënë mbrapa disa prej komunave që udhëhiqen nga kryetar të partive të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore