Kosova

Krasniqi: Drenica ka qenë dhe është zemra e Kosovës


Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi-Skenderaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi gjatë vizitës së tij në Skenderaj ka takuar fituesin e zgjedhjeve lokale për të parin e qytetit, Fadil Nura dhe drejtuesit e degës së PDK-së, ka thënë se Drenica mbetet zemra e Kosovës por edhe i subjektit të tij politik.

“Drenica ka qenë dhe është zemra e Kosovës e PDK ka qenë dhe është në zemrën e Drenicës. Urime të gjithë qytetarëve të Skenderajt për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës!”.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe fituesi i zgjedhjeve lokale në Skenderaj, Fadil Nura

Ai ka falënderuar të gjithë ata që punuan për fitoren e PDK-së në këtë qytet dhe nën drejtimin e kryetarit të degës, Sami Lushtaku.

“Shumë falënderues ndaj punës dhe përkushtimit të pashoq të të gjithë aktivistëve të partisë, të udhëhequr nga kryetari i degës, Sami Lushtaku, të cilët besuan dhe punuan për fitoren e kryetarit të ri të Komunës së Skënderajt, Fadil Nura”.

Krasniqi krahas urimeve për detyrën e re të Nurës, ka shprehur respektin e lartë për familjen Jashari.

“Fadilit i uruam punë të mbarë në zhvillimin dhe transformimin e qytetit të lavdisë sonë kombëtare e historike”.

“Respekt të thellë e të përhershëm për këtë komunë emblematike, e posaçërisht për Prekazin e Familjes Jashari, vendin e lavdisë së përjetshme, që i dha kombit tonë sakrificën e pashembullt, mbi të cilën është ngritur për të qëndruar përgjithmonë liria dhe shteti ynë sovran e demokratik”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i degës në Skenderaj, Sami Lushtaku

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidatin e saj Fadil Nura ka fituar në raundin e parë në zgjedhjet lokale të së dielës me një rezultat të thellë prej 57.99% të votave, duke lënë pas kundër kandidatin dhe ish kryetarin e komunës, Bekim Jashari nga Lista Ideal, i cili arriti të marr vetëm 40.64% të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore