Kosova

Clark të dielën në Kosovë, Abdixhiku ia ndan dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”


Wesly Clark

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarako-policore serbe më 1999, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të takohet me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Sic ka njoftuar LDK-ja, Abdixhiku do t’i ndajë Clark-ut dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Nesër (e diel), në orën 09:00, në Selinë Qendrore, kryetari i LDK-së me bashkëpunëtorë pret në takim Gjeneral Wesley Clark. Kryetari Abdixhiku po ashtu Gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Wesley Clark, ka shërbyer si Komandant Suprem i Aleatëve në Evropë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Ai ka komanduar operacionin e Aleancës gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në bombardimin e Serbisë.

Clark është një nga gjeneralët më të dekoruar amerikanë, i cili ka shërbyer në radhët e ushtrisë amerikane për plotë 34 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore