Zgjedhjet në Kosovë

KQZ shpall rezultatet preliminare të balotazhit


Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka shpallur rezultatet preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në pesë komuna, aq sa kanë fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar në tri komuna.

Dukë bazuar në rezultatet e shpallura nga KQZ-ja.

Në Prishtinë, ka fituar Përparim Rama me 40 mijë e 659 vota ose 51. 07 për qind, në komunën e Prizrenit ka fituar Shaqir Totaj i PDK-së me 27 mijë e 17 vota ose 51.01 për qind, në Gjilan ka fituar Alban Hyseni i VV-së me 21,374 vota ose 51.03 për qind.

Në komunën e Gjakovës, ka fituar Ardian Gjini i AAK me 20 mijë e 254 vota ose 50.06 për qind të votave.

Podujevën, e ka fituar Shpejtim Bulliqi me 20 mijë e 282 vota ose 51.84 për qind. Në Gllogoc ka fituar Ramiz Lladrovci me 11 mijë e 572 vota ose 54.14 për qind.

Në Dragash, prin Shaban Shabani i PDK-së me 5 mijë e 648 vota ose 50.21 për qind. Istogun, e ka fituar Ilir Ferati me 9.503 vota ose 56.20 për qind. Në Kaçanik ka fituar Besim Ilazi i PDK-së me 7 mijë e 184 vota ose 53.20 për qind.

Ilustrim, votim i një qytetari, proceset zgjedhore të kaluara, në Kosovë

Komunën e Klinës e ka fituar Zenun Elezaj i AAK-së me 7 mijë e 866 vota. Në Fushë-Kosovë ka fituar Burim Berisha me 7 mijë e 864 vota ose 66.04 për qind.

Në Kamenicë ka fituar Kadri Rahimaj me 8 mijë e 40 vota ose 53.11 për qind. Obiliqin e fitoi Xhafer Gashi me 6 mijë e 414 vota ose 61.41 për qind.

Rahovecin e ka marrë Smajl Latifi i AAK-së me 11 mijë e 445 vota ose 63.32 për qind. Në Shtime ka fituar Qemajl Aliu i VV-së me 6 mijë e 920 ose 50.71 për qind të votave.

Në Viti ka fituar Sokol Haliti me 8 mijë e 684 vota ose 51.48 për qind.

Komunën e Vushtrrisë e fitoi Ferit Idrizi i PDK-së me 13 mijë e 181 vota ose 53.13 për qind. Në Malishevë ka fituar Ekrem Kastrati me 10 mijë e 394 vota ose 53.19 për qind.

Junikun e ka marrë Ruzhdi Shehu me 1 mijë e 199 vota ose 50.61 për qind.

Në Mamushë ka fituar Abdulhadi Krasniqi me 1 mijë e 580 vota ose 63.38 për qind.

Qendrat e votimit.

Dhe në Kllokot ka fituar Vladan Bogdanoviq me 1 mijë e 21 vota ose 55.13 për qind.

Ndërsa, ditëve në vijim pritet të numërohen votat me postë dhe ato me kusht. Sipas KQZ-së pjesëmarrja në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 38.48 për qind apo 378 mijë e 730 qytetarë kanë votuar.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kishin 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë.

Numri i qendrave të votimit ishte 575 kurse vendvotime ishin 1 mijë e 638.

Komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore