Shqipëria

KQZ miraton anëtarët e KZAZ-ve, përveç PD-së


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar vendimin për anëtarët e Partisë Socialiste dhe Partisë së Lirisë në KZAZ për sa u përket zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Gjithashtu u miratuan edhe anëtarët e Partisë Socialdemokrate.

Ndërsa, për sa i përket Partisë Demokratike, në KQZ janë dorëzuar dy lista për anëtarët e KZAZ-ve.

Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shpjegoi mungesën e një vendimmarrje lidhur me listat e paraqituara nga PD për anëtarë të KZAZ-ve.

“Jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga foto për KZAZ. Jemi përballë dy listave, një nga Noka dhe një nga Sefa, përfaqësues legjitim i PD në KQZ. Për të mos bërë hipokritin, situata është e tillë që duhet të konkludojmë, mbi legjitimitetin e personit që do duhet të përfaqësojë interesat e PD në KQZ”, tha ai.

Celibashi ravijëzoi se vendimmarrja e KQZ do të jetë strikte, e bazuar në kodin zgjedhor.

Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi më 9 janar se si do të përcaktohen anëtarët e KZAZ-ve për vendoret e 14 majit.

Partia Socialiste do të propozojë dy anëtarë për çdo KZAZ si partia më e madhe e mazhoranancës dhe Partia Demokratike dy anëtarë si partia më e madhe e opozitës.

Partia Socialdemokrate si partia e dytë e mazhorancës dhe Partia e Lirisë si partia e dytë e opozitës do të kenë nga 1 anëtar në çdo KZAZ.

Anëtari i shtatë do të vendoset mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Sekretari do të propozohet nga PS-ja aty ku PD-ja ka propozuar zëvendës kryetarin, dhe e anasjellta.

PD me dy lista për anëtarët e KZAZ-ve, Celibashi: KQZ po verifikon dokumentet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore