Shqipëria

PD me dy lista për anëtarët e KZAZ-ve, Celibashi: KQZ po verifikon dokumentet


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se po verifikojnë dokumentet e dorëzuara nga PD me dy lista për anëtarët e KZAZ-ve për zgjedhjet vendore.

Ai shtoi se në institucionin që drejton, Indrit Sefa është përfaqësues i PD në KQZ që prej marsit të vitit të kaluar.

“Është ky fakt. Pra, kemi dy propozime për anëtarë të KZAZ nga Sefa që është përfaqësues i PD në KQZ që prej marsit të vitit të kaluar. Kemi edhe një propozim të sjellë nga Flamur Noka, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD. Formalisht kemi dy kërkesa dhe formalisht KQZ do bëjë vlerësimin”.

Celibashi theksoi se verifikimi i dokumentacionit po bëhet për të gjithë anëtarët e KZAZ-ve të partive politike, jo vetëm të PD.

“Është një procedurë që rëndom e kemi bërë edhe për rastin konkret do ndiqet e njëjta procedurë, por ka të shtuar kush është ai që ligjërisht ka të drejtë të paraqesë propozime. Do vendosim për këtë. Më vjen keq që gjendemi në këtë situatë. Vendimmarrja do jetë në përputhje me ligjin. S’kemi asnjë lloj interesi politik edhe as simpatie politike”.

Më herët gjatë ditës sotme në KQZ u vendos zbatimi i projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave në tre bashki të vendit: Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Ky vendim erdhi dy ditë pasi Qeveria shqiptare alokoi një fond prej 2 miliardë lekësh për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, në mënyrë që KQZ , të përballojë shpenzimet për proces elektronik.

Sipas një vendimi të datës 27 janar 2023, i firmosur nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ndahet në dy zëra alokimi i fondeve për KQZ-në.

Tre bashki do të votojnë në mënyrë elektronike më 14 maj

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore