Kosova

“Udhëheqje e mjerimit”, thotë Haradinaj për Qeverisjen Kurti


Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse Kosova e humbet këtë momentum që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KiE), përgjegjës do të jenë tre persona.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, e ka quajtur “mjerim” udhëheqjen aktuale të Kosovës.

“Nëse humbet momentumi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tre udhëheqësve institucionalë”.

“Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, me garancitë e dhëna përmes një letre të përbashkët, ku zotohen se Kosova do të përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe tërheqja prej fjalës së dhënë, e shkruar e zezë mbi të bardhë, janë jo vetëm humbje, por edhe goditja më e rëndë që mund t’i bëhët Kosovës në planin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, me situatën aktuale Kosova po shkon vetëm drejt izolimit.

“Udhëheqja e Kosovës me veprimet e saj, përfundimisht e ka humbur besimin, ndërkaq Kosovën e ka shndërruar në një vend që po izolohet e po ndëshkohet përditë e më shumë. Në krejt këtë situatë shqetësuese, kur po shihet qartë se vendi nuk ka as udhëheqës e as zot shtëpie, Presidentja e vendit ka vendosur të hesht dhe të na bombardojë me pamje nga ajri, të pilotimit të një helikopteri!”.

“Po mjerimi ka zbritur në tokë dhe sot më shumë se asnjëherë e ka emrin, Udhëheqja e Kosovës!”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Më 27 mars, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.

Raportit pozitiv i ka paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer 24 hektarë tokë dhe pyje Manastirit Ortodoks të Deçanit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilin me vite ka refuzuar ta zbatojë.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në raportin e Bakoyannisit thuhet se është çështje e brendshme e Kosovës.

Megjithatë kërkesë e Francës dhe e Gjermanisë ka qenë që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë kërkesë e ka quajtur “absurde”.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”, deklaroi ai të mërkurën.

Edhe më 6 maj, Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që për dialogun të flitet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Duke kërkuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe dialogu Kosovë-Serbi të mos ngatërrohen me njëra-tjetrën.

Thirrja e Kurtit drejtuar shteteve të QUINT-it ishte që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj për në Këshill të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore