Zgjedhjet në Kosovë

KQZ certifikon rezultatet në shumicën e komunave të Kosovës


Ilustrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale 2021.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes ka thënë se certifikimi i rezultateve është bërë në 35 komuna, kurse në katër komuna nuk është certifikuar rezultati për shkak se ka pasur ankesa dhe ende nuk është vendosur për to.

“Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve nuk mund të certifikohen në Shtime, Ferizaj, Podujevë dhe Kllokot”, deklaroi Radoniqi.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, 17 kandidatë kanë fituar votat e mjaftueshme për kryetar, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 21 komuna kanë shkuar në balotazh.

Balotazh do të ketë në këto komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Komunat që shënuan fitore

Në Komunën e Deçanit ka fituar Bashkim Ramosaj i AAK-së me 9 mijë e 843 vota ose 64.90 për qind.

Në Mitrovicën e Jugut ka fituar Bedri Hamza i PDK-së me 16 mijë e 566 vota ose 53.69 për qind.

Në Leposaviq ka fituar Zoran Todiq nga Lista Serbe me 9 mijë e 65 vota ose 97.85 për qind.

Lipjanin e ka fituar Imri Ahmeti i LDK-së me 15 mijë e 541 vota ose 56.42 për qind.

Novobërda është fituar nga Sasa Milosheviq nga Lista Serbe me 3 mijë e 548 vota ose 63.19 për qind.

Peja është fituar nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 23 mijë e 426 vota ose 60.49 për qind.

Në Komunën e Shtërpcës ka fituar Dalibor Jevtiq nga Lista Serbe me 4 mijë e 148 vota ose 59.70 për qind.

Në Suharekë Bali Muharremaj i AAK-së ka marrë 14 mijë e 483 ose 51.30 për qind, duke e fituar këtë komunë.

Në Skenderaj ka fituar Fadil Nuraj i PDK-së me 13 mijë e 123 vota ose 57.89 për qind.

Zubin Potokun e ka fituar Srdjan Vuloviq nga Lista Serbe me 3 mijë e 225 vota ose 83.53 për qind.

Zveçani është fituar nga Dragisha Miloviq nga Lista Serbe me 5 mijë e 394 vota ose 98.43 për qind.

Graçanica është fituar nga Liljana Subariç nga Lista Serbe me 6 mijë e 506 vota ose 77.93 për qind.

Ranillugu është fituar nga Katarina Ristiç nga Lista Serbe me 2 mijë e 427 vota ose 100 për qind.

Parteshi është fituar nga Dragan Petkoviç nga Lista Serbe me 1 mijë e 684 vota ose 73.35 për qind të vota.

Komunat e Kosovës.

Mitrovica e Veriut është fituar nga Milan Radojeviç nga Lista Serbe me 10 mijë e 833 vota ose 91.12 për qind.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të mbahet më 14 nëntor, ndërsa periudha e votimit përmes postës do të fillojë nga e premtja e 29 tetorit dhe do të zgjat deri më 12 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore