Lajme

KPMShCK e cilëson si kundërligjshëm vendimin e Hajdarit për largimin e Lulzim Sylës nga MINT-i


Rozeta Hajdari

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e ka rrëzuar vendimin e Ministrisë së Industrisë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, për largimin e Lulzim Sylës nga pozita e Drejtorit të Departamentit të Turizmit në këtë dikaster.

KPMShCK-ja, sipas një dokumenti të siguruar nga Nacionale, ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Sigurisë për largimin nga puna të zyrtarit në fjalë ka qenë i kundërligjshëm.

Sipas pikës dy të këtij vendimi të KPMShCK-së, Ministria e Industrisë obligohet që Lulzim Syla, të kthehet në pozitën që ka ushtruar më herët.

Ndryshe në janar të këtij viti Albanian Post kishte raportuar për dërgimin e një mori zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë në Komision Disiplinor vetëm për shkak të kritikave që të njëjtit kanë parashtruar ndaj Qeverisë aktuale.

Ministria e drejtuar nga Hajdari kishte shqiptuar masën disiplinore “Largimi nga Shërbimi Civil”, ndaj Lulzim Sylës, drejtorit të Departamentit të Turizmit në këtë ministri.

Rasti i Lulzim Sylës daton më 24 nëntor të vitit të kaluar, konkretisht në takimin e mbajtur në Kabinetin e Ministres, Rozeta Hajdari.

Në dokumentin e siguruar nga Albanian Post, theksohej se pas një diskutimi zyrtar, Syla në largim e sipër nga zyra e Hajdarit, i është drejtuar shefit të kabinetit të ministres Hajdari, Kushtrim Dakaj, me “një ton shumë të lartë” dhe “me një qasje arrogante”, “sjellje kërcënuese” e me “fjalë fyese” e “gjuhë nënçmuese”.

Por, realiteti ishte e kundërta nga ajo se çfarë është paraqitur në dokumentin ku është arsyetuar largimi nga shërbimi civil i Lulzim Sylës.

Siç kishte kuptuar Albanian Post, nuk ka qenë Lulzim Syla ai i cili ka ofenduar zyrtarin e lartë të ministrisë, Kushtrim Dakaj, por anasjelltas.

Syla në kundërshtim të sharjeve të drejtuara ndaj tij kishte kërkuar të “mos ofendohet” meqë një gjë e tillë “nuk është korrekte”.

Pas krejt kësaj ndaj tij është iniciuar kërkesa për procedim të procedurës disiplinore nga ana e zëvendës-sekretarit të këtij dikasteri, Daut Latifaj në Komision Disiplinor, gjë që ka kulmuar me masën disiplinore “Largimi nga Shërbimi Civil”.

Diktatura e vendosur në MINT – Kush flet keq për Albin Kurtin dërgohet në komision disiplinor dhe mund të përjashtohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore