Kosova

Diktatura e vendosur në MINT – Kush flet keq për Albin Kurtin dërgohet në komision disiplinor dhe mund të përjashtohet


Ministria e Industrisë

Arianit Krasniqi, zyrtar në Departamentin e Turizmit në Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mund të mbes pa vendin e tij të punës, vetëm se një ditë, jashtë orarit të punës, e kritikoi politikën e Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 100 eurove.

Krasniqi konsideroi se kjo lloj ndihme nga qeveria është “lëmoshë” dhe se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mashtron me të tilla ndihma të njëhershme.

Kaq mjaftoi dhe me urdhër të ministres Rozeta Hajdari, ai u dërgua në komision disiplinor brenda ministrisë.

Vendimi ndaj Krasniqit, që është edhe nip i ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, mban datën e 29 dhjetorit.

Në dokumentin që ka siguruar Albanian Post thuhet – mashtrueshëm – se Krasniqi “ka dëmtuar rëndë reputacionin e shërbimit civil dhe imazhin e Ministrisë dhe Qeverisë”.

Ndërsa, vazhdohet me një tjetër shpjegim, duke e përkthyer postimin e tij si një “gjuhë të ashpër dhe të papërshtatshme ndaj menaxhmentit të lartë të MINT duke përdorur fjalë dhe shprehje të pavërteta”.

Edhe sikur fjalitë që ka përdorur Krasniqi për ta përshkruar Kryeministrin e Kosovës, apo ndonjë politikë të caktuara të tij, të binin ndesh me ndonjë rregullore të brendshme të ministrisë, prapë vendimi për ta dënuar atë përse shkruan, është i pamundur meqë të gjitha postimet i ka pasi ka përfunduar orarin e punës dhe gjithashtu jashtë ambienteve të ministrisë.

Komentet jashtë orarit dhe jashtë vendit ë punës nuk përbëjnë kurrfarë shkelje bazuar në nenin 25 të Ligjit për Zyrtarë Publik, e të cilin e ka përdorur Ministria si arsyetim për shkeljen.

Paragrafi i parë i nenit 25 të Ligjit për Zyrtarët Publik thekson se “zyrtarja/i ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitete politike dhe të shprehë bindjet partiake vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë ambienteve të institucionit publik”.

Ndonëse Krasniqi ka vepruar konform normës juridike që parasheh dispozita e 25-të e Ligjit për Zyrtarët Publikë, Ministria e Industrisë si arsyetim për dërgimin në Komision Disiplinor të nëpunësit civil ka cituar edhe disa nga postimet e tjera të Krasniqit në platformën sociale, Facebook, ani pse të njëjtat janë postuar jashtë orarit të punës dhe jashtë ambienteve të MINT-it.

“Nëpunësi, Arian Krasniqi, ka bërë postimin e datës 15.12.2023 përsëri duke e quajtur kryeministrin ‘mashtrues’, kurse kabinetet dhe sekretarët e ministrive si ‘palo’”, thuhet në vendimin e MINT.

Por, siç e përcakton ligji, ai ka të drejtë të bëjë postime të natyrës së tillë kur është jashtë orarit të punës – pikërisht koha kur ka postuar Krasniqi.

Paragrafi i parë i nenit 25 të Ligjit për Zyrtarët Publik thekson se “zyrtarja/i ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitete politike dhe të shprehë bindjet partiake vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë ambienteve të institucionit publik”.

Ministria ka pasur problem edhe me një postim tjetër të Krasniqit, ku ai shkruan duke ironizuar me disa mesazhe që qeveria ua dërgonte njerëzve për t’iu treguar se si ta bëjnë udhëtimin e tyre nëpër Evropë pas liberalizimit të vizave.

 

Në dokumentin e siguruar nga Albanian Post i është dhënë hapësirë edhe arsyetimit të Krasniqit drejtuar zëvendës-sekretari të Përgjithshëm të Ministrisë së Industrisë, Daut Latifaj, ku ndër të tjera Krasniqi ka potencuar se postimet e tij janë shprehje e fjalës së lirë, duke quajtur kërkesën për inicim të procedurës disiplinore, si “skandaloze”.

Ndryshe, i kontaktuar nga Albanian Post, Krasniqi ka refuzuar të deklarohet për rastin në fjalë, ndërsa Ministria e Industrisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të redaksisë.

Por, Krasniqi dhe rasti i tij përbëjnë vetëm një nga shumë të tillë.

Ka kaq shumë zyrtarë brenda ministrisë që po dënohen nga Rozeta Hajdari vetëm se kanë kritika për qeverinë.

Për shembull, Ministria e drejtuar nga Hajdari ka shqiptuar masën disiplinore “Largimi nga Shërbimi Civil”, ndaj Lulzim Sylës, drejtorit të Departamentit të Turizmit në këtë ministri.

Rasti i Lulzim Sylës daton më 24 nëntor të vitit të kaluar, konkretisht në takimin e mbajtur në Kabinetin e Ministres, Rozeta Hajdari.

Në dokumentin e siguruar nga Albanian Post, theksohet se pas një diskutimi zyrtar, Syla në largim e sipër nga zyra e Hajdarit, i është drejtuar shefit të kabinetit të ministres Hajdari, Kushtrim Dakaj, me “një ton shumë të lartë” dhe “me një qasje arrogante”, “sjellje kërcënuese” e me “fjalë fyese” e “gjuhë nënçmuese”.

Por, realiteti del të jetë e kundërta nga ajo se çfarë është paraqitur në dokumentin ku është arsyetuar largimi nga shërbimi civil i Lulzim Sylës.

Siç ka kuptuar Albanian Post, nuk ka qenë Lulzim Syla ai i cili ka ofenduar zyrtarin e lartë të ministrisë, Kushtrim Dakaj, por anasjelltas.

Syla në kundërshtim të sharjeve të drejtuara ndaj tij ka kërkuar të “mos ofendohet” meqë një gjë e tillë “nuk është korrekte”.

Pas krejt kësaj ndaj tij është iniciuar kërkesa për procedim të procedurës disiplinore nga ana e zëvendës-sekretarit të këtij dikasteri, Daut Latifaj në Komision Disiplinor, gjë që ka kulmuar me masën disiplinore “Largimi nga Shërbimi Civil”.

Përveç inicimit të masave disiplinore e largimit të zyrtarëve nga detyra, Ministria e Industrisë ka bërë ndryshime në pozita udhëheqëse brenda ministrisë, pa ndonjë arsye konkrete.

Është fjala për Arta Dushi, udhëheqëse e departamentit të Burimeve Njerëzore në kuadër të Ministrisë së Industrisë dhe Mehdi Pllashniku, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Arta Dushi nga pozita paraprake është transferuar në Departamentin e Naftës brenda Ministrisë së Industrisë, pa ndonjë arsye specifike.

Ndryshimi i pozitës së zyrtares, siç ka kuptuar Albanian Post, ka ardhur si pasojë e dështimit të konkursit për 27 inspektorë që do t’i bashkoheshin këtij institucioni, gjë që s’kishte të bënte asgjë me zyrtaren Dushin, meqë sipas një raportimi të Albanian Post në korrik të vitit të kaluar, konkursi u kurdis të dështonte proceduralisht nga pushteti, që më pas të hapej si i jashtëm që t’iu mundësohej konkurrimi i militantëve.

Fatin e njëjtë të Dushit, pati edhe Mehdi Pllashniku, i cili nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ARBK-së u transferua në Agjenci të Standardizimit brenda Ministrisë së Industrisë.

Ndonëse Pllashniku, për këtë ndryshim pozicioni ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrë për Shërbimin Civil të Kosovës ku kishte fituar edhe rastin.

Megjithatë vendimi i Këshillit nuk është marrë parasysh nga MINT, gjë që ka rezultuar me degradim në pozitë të Pllashnikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore