Lajme

KPK në takim të jashtëzakonshëm – kërkon siguri pas dorëheqjes së prokurorëve të komunitetit serb


Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Pas dorëheqjes së prokurorëve të stafit administrativ të komunitetit serb, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm.

Lajmi për takimin është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

Anëtarët e Këshillit kanë drejtuar kërkesë tek Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar.

“Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial nuk u lëshua në shqyrtimin e dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi administrativ, ngase paraprakisht nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit deventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje”.

“Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore.

“Gjatë këtij takimi, po ashtu, Këshilli ka konfirmuar listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe ka themeluar Komisionin për Rishqyrtim për pozitën e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri.

Ata tashmë kanë dorëzuar uniformat dhe besohet se janë në proces të dorëzimit të armëve dhe pajisjeve të tjera policore.Largimi nga institucionet u njoftua të shtunën, pasi, siç u tha, nuk u tolerua dot suspendimi i komandantit të policisë atje, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi fillimisht të zbatonte vendimin për masën e përshkallëzuar me vendim të qeverisë në raport me targat ilegale.Kurse të dielën, Lista Serbe ka organizuar një tub ku, sipas tyre, kishte pjesëmarrje prej 10 mijë personave.Ata, për t’u rikthyer në institucione duan t’u plotësohen dy kushte: ndalimi i masës së qortimit nga policia dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Qeveria.

Po ashtu rreth 400 vende të lëna bosh pas largimit të serbëve nga Policia e Kosovës, tashmë janë zëvendësuar nga policë të komunave të tjera.

Albanian Post nga burime brenda policisë merre vesh se nëpër të gjitha komunat veriore ku ishte krijuar zbrazëtira, janë dërguar policë nga qytetet tjera dhe si përforcim kanë edhe policë të Njësiteve Speciale.

Këta policë do të zëvendësohen me turne, deri në një vendim të radhës që e zgjidh çështjen përhershëm.

Gjithashtu, njësitet speciale do të vazhdojnë të qëndrojnë si përforcime për një kohë, deri në një vendim të ri.

Edhe vendimi i përshkallëzuar për targat ilegale po vazhdon.

Masa e qortimit, që është faza e parë, deri me 21 nëntor, kur pritet të fillojë ajo e gjobës për 150 euro për të gjithë ata që bartin tabela ilegale të prodhuara në Serbi me inicialet e qyteteve të Kosovës, si “KM”, “GL” e të tjera, po vazhdon të lëshohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore