Kosova

QUINT-i: Ndalimi i hyrjes së Patriarkut Porfirije në Kosovë në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit


Ilustrim.

Shtetet anëtare të QUINT-it janë të shprehur “të shqetësuar” për moslejimin e vizitës në Kosovë të patriarkut serb Porfirije dhe peshkopëve të tjerë për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës.

QUINT-i, përmes një komunikate për media ka thënë se vendimi i pushtetit ka qenë në kundërshtim me planin e Ahtisaarit.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos u lejohet hyrja në Kosovë patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopëve të tij përcjellës, që të marrin pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës”.

“Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, që qartë përshkruajnë të drejtat, priviligjet, imunitetet e klerit të Kishës Ortodokse Serbe dhe nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës të marra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e QUINT-it.

Teksa, kanë potencuar se kanë pritshmëri nga Kosova që të përmbushin standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

“Të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe të mbajë vlerat dhe përgjegjësitë e saj themelore ndaj stabilitetit rajonal. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të dyja palëve që të frenohen nga çdo veprim apo retorikë që mund të rrisë tensionet dhe të çojë te incidentet”.

Në të kaluarën, pjesëmarrja e patriarkut serb në ceremoni fetare në Kosovë është shoqëruar me fjalor të papranueshëm, duke nxitur përçarje.

KOS-i është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste e irredentiste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet publike.

Patriarku Porfirije ka ardhur disa herë në Kosovë, ndërsa herën e fundit ka hyrë në territorin e Kosovës në janar të vitit 2024, pikërisht në kohën kur tensionet midis Kosovës dhe Serisë ishin ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore