Lajme

Kosovë: Ora policore mund të hiqet në shqyrtimin e radhës së masave antiCOVID-19


Liria e lëvizjes në Kosovë, masat antiCOVID

Ora Policore në Kosovë “mund të hiqet”, në rishikimin e radhës të masave anti COVID nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës.

Kështu bëjnë të ditur burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, duke shtuar se “masat e tanishme do të rishikohen”.

Heqja e orës policore do të bëhet në mbledhjen e radhës, kurdo që qeveria cakton një datë për të trajtuar masat e rishikuara, bën me dije burimi zyrtar brenda MSH.

Se masat aktuale anti-COVID do të rishqyrtohen, bëjnë të ditur edhe nga zyra për medie në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë do t’i trajtoje rekomandimet e mekanizmave kundër COVID-19 për sa i përket rishikimit të masave në fuqi”, është përgjigjur zyra për medie në MSH për Albanian Post.

“Bazuar në këto rekomandime dhe përmirësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, do të merren masat përkatëse”, përfundon përgjigja e zyrës për medie.

Më katër shkurt të këtij viti, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kanë bërë të ditur lehtësimin e masave antiCOVID-19.

Masat e reja që janë miratuar kanë të bëjnë me lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Hyrja në Kosovë do të jetë me dy vaksina, apo me një nëse është nga Johanson, pa pasur nevojë për testin PCR, ndërkaq lejohet hyrja edhe me një vaksinë dhe test negativ PCR të bërë në 48-orët e fundit. Po ashtu, lejohet të hyjnë në Kosovë personat që kanë kaluar COVID-19 në tre muajt e fundit”.

“Hiqet obligimi i bartjes së musakave në hapësira të lira, kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, ndërsa lokalet e gastronomisë do të punojnë deri në orën 23:00″, kishte deklaruar Ministri i Shëndetësisë Rift Latifi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore