Lajme

Kosovë/ Lista Serbe: “Presidenti Vuçiç po sulmohet për shkak të qëndrimit ndaj Kosovës”


Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç

Subjekti politik serb në Republikën e Kosovës, Lista Serbe, i ka dalur në “mbrojtje” presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, lidhur me deklaratat e fundit të bëra nga krimineli Veljko Belivuk, se vetë presidenti qëndron prapa akteve kriminale të grupit mafioz “Jeniçerët”.

Ky subjekt politik ka thënë se “Populli serb nga Kosova i siguron mbështetje të fortë Presidentit Aleksandar Vuçiç në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo krimi tjetër”.

Sipas Listës Serbe, krimi i organizuar “e mbajti Serbinë dhe qytetarët e saj peng të manjatëve dhe hajdutëve deri në 2012”.

Forcimi i Serbisë është një garanci e qartë e mbijetesës së “serbëve në Kosovë”.

Lista Serbe konsideron se qëndrimi i serbëve në “zona të shenjta” (Kosovë), bëhet për ruajtjen e “atdheut” të tyre si dhe për “ruajtjen e rrënjëve të çdo serbi dhe çdo gruaje serbe kudo që ata jetojnë”.

Ky subjekt politik i cili është i ndikuar direkt nga politika e Beogradit, konsideron se Vuçiç ka forcuar “rrënjët” serbe në Kosovë.

“Falë luftës së Presidentit Vuçiç, ajo rrënjë është më e fortë çdo ditë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.

Postimi i Listës Serbe

Arrestimi i kriminelit famëkeq në Serbi, Veljko Belivuk, ka bërë bujë të madhe, pasi udhëheqësi i grupit mafioz “Jeniçerët” deklaroi para Prokurorisë serbe se ai ka kryer shumë punë për vetë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa Vuçiç ka mohuar akuzat dhe lidhjet e mundshme me këtë grup kriminal.

Por, pas deklarimit të Veljko Belivuk pranë prokurorit, lajmi ka tronditur opinionin publik në Serbi.

Kurse, Lista Serbe si subjekt politik është mjaft dekonstruktive në raport me të gjitha aktivitetet e institucioneve të Kosovës, ndërsa mbanë lidhje të forta me institucionet në Serbi dhe me vet presidentin serb, Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore