Lajme

Kush është Veljko Belivuk dhe cila është lidhja e tij me Aleksandër Vuçiç?


Veljko Belivuk

Veljko Belivuk dhe banda e tij Jeniçerët (të emëruar sipas mercenarëve në kohën osmane në Ballkan) ka kohë që janë subjekt i hetimeve.

Arrestimi i tij së pari kishte ardhur nën akuza të zbehta si përleshje fizike huliganësh dhe shkatërrim pronash, në raport me krimet në të cilat është përfshirë Belivuk, siç janë vrasja e një fansi të klubit Ylli i Kuq në 2015, dhe gjyqi i madh për vrasjen e karatistit Vlastimir Millosheviç në vitin 2017.

Gazeta investigative KRIK që njëherit është edhe pjesë e Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me degë në Sarajevë, përmes hulumtimeve gazetareske, ka shpalosur se lidhjet që Belivuk ka me politikanë me ndikim në Beograd, kanë mundësuar që ai t’i shmanget drejtësisë.

Si forcë shqetësuese në qarqe futbollistike dhe huliganësh, Belivuku arriti që të merrte udhëheqësin e huliganëve mbi baza të grupit kriminal të tij të Jeniçerëve, me metoda brutale.

Jeniçerët paraprakisht kishin udhëheqësin 26 vjeçar, që ishte edhe trafikant i drogës, Aleksandër Stankoviç, që u vra në Beograd në vitin 2016, në rrethana të pashpjeguara.

Belivuk dhe Stankoviç ishin të afërt me njëri tjetrin, dhe Belivuk ka thënë edhe se e di kush e ka vrarë këtë të fundit.

Por, tani arrestimi i Belivuku hodhi dritë mbi grupin kriminal të huliganëve, të cilëve policia u gjeti armë të shumta, dhe prokurori i çështjes e cilësoi ‘ushtri’ bandën e tij.

Tash rasti i Belivukut dhe organizatës së tij kriminale e kanë shkundur Serbinë dhe Ballkanin për krime prej më të shëmtuarave përfshirë vrasje dhe torturë.

BBC i ka quajtur si “Thriller politik” këto ngjarje.

Prokurori kishte thënë se banda e Belivukut kishte kapacitete rekrutuese disa herë më shumë se klani famëkeq Zemun, klan ky i cili në vitin 2003 ishte fajësuar për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç, mu në pik të ditës.

Ai tash akuzohet për pesë vrasje, torturë, dhe trafikim droge.

Çka ka lidhje kjo me presidentin serb Aleksandër Vuçiç?

Rasti i Belivukut ka hedhur dritë mbi disa çështje të brendshme të shtetit serb – bazuar në hetimet që janë bërë – Belivuk del të ketë lidhje me zyrtarë të lartë në Beograd.

E në krye të kësaj, sigurisht, se është kreu i shtetit serb, Vuçiç, dhe partia e tij.

Menjëherë pas këtyre raportimeve, opozita në Serbi ka bërë thirrje që të hetohen këto lidhje nëntokësore me krimin që ka Qeveria, përfshirë edhe Partin e Popullit, Iniciativa ‘Mos e Fundosni Beogradin’, Partia Social-demokratike që udhëhiqej nga presidenti Tadiç, si dhe partia për Liri dhe Drejtësi e ish-majorit të Beogradit Dragan Djilash.

Prej akuzave, më vetë-evidentja, është ajo mbi Nocak Nediç, sekretari i përgjithshëm brenda qeverisë serbe në kohën kur Vuçiç ishte kryeministër.

Nediç ushtëronte çitjen me armë me dy jeniçerët në fjalë, Belivukun dhe Stankoviçin, sipas hulumtimeve të bëra publike nga KRIK.

Gjatë seancës dëgjimore të gjykimit të Belivukut, ai, raporton KRIK, ka thënë se presidenti Vuçiç dhe shoqëruesit e tij i kanë kërkuar ‘shumë shërbime’.

Ai në atë seancë dëgjimore ka thënë se Vuçiç e kishte angazhuar që t’i ndalonte të tifozët të brohorisnin kundër tij, siç kishin bërë disa herë duke e fyer në stadiume, si dhe t’i frikësonte njerëzit për të mos protestuar kundër qeverisë së tij.

Sipas transkriptave që ka nxjerrë KRIK, atij Vuçiç i ka caktuar detyrën që të siguronte se Parada e Krenarisë në Beograd të shkonte pa trazira, por edhe që të ndikojë te taksistët për të anuluar protestën kundër aplikimit të transportit KarGo.

Më 22 korik 2021, Beta Agency kishte raportuar për trazirat e shkaktuara nga fansat e Partizanit për shkak të bërtimave fyese ndaj Vuçiçit.

KRIK thotë se Belivuk ka thënë se e njeh personalisht Vuçiçin, se e ka takuar disa herë, dhe se ka qenë anëtar i Partisë Progresive që nga viti 2011.

Vuçiç këtë e ka mohuar menjëherë të enjten duke thënë se “Atë njeri kurrë as s’e kam parë e as s’kam biseduar me të”.

Por, ja çfarë u ka thënë Belivuk hetuesve, sipas KRIK.

“Kam vendosur të them gjithçka me mirësjellje për marrëdhëniet e mija me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ministrin e Policisë, Aleksandër Vulin, vëllezërit e Vuçiçit, miqtë, dhe të gjithë politikanët që na kanë kërkuar shërbime, dhe tani sillen kinse s’e njohin njëri tjetrin, dhe lajnë duart”.

Belivuk thuhet t’u ketë thënë se kontaktet me Vuçiçin i ka mbajtur përmes Aleksandër Vidojeviç, ndryshe i njohur edhe si Aca Roshavi, i cili është një fans i Partizanit, dhe mik i afërt i djalit të Vuçiçit.

Vitet e kaluara mediat edhe kanë publikuar fotografi për këtë gjë, për djalin e Vuçiçit, Danilos, në shoqërinë e Vidojeviçit.

Vuçiç thuhet t’i ketë kërkuar Belivukut që të parandalonte ngritjen e një flamuri fyes që po përgatitej të bëhej ndaj të bijës së Zvezdana Terziça, drejtorit të klubit futbollistik Yllit të Kuq.

“Ne ua kryem këtë kërkesë, dhe pastaj Terziç na ftoi të na falënderojë dhe na pyeti për çmimin. Ne i thamë se këtë shërbim ua bëmë pa pagesë, por si shërbim ndër miqsh”, raporton KRIK të ketë thënë Belivuk.

Ai ka deklaruar se ka lidhje me Darko Glisiç, një zyrtar i lartë i SNS-së (Partisë që e udhëheq Vuçiç), kurse njëri anëtar i bandës së tij kishte kontakte të ngushta me ministrin Vulin.

Reagimi i Vuçiçit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten e 22 korrikut e mohoi ta ketë parë, takuar, ose biseduar ndonjëherë me kriminelin Veljko Belivuk i cili u kishte thënë hetuesve se ishte i lidhur me Presidentin e Serbisë, dhe zyrtarë të lartë të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Ai, ka thënë se është i gatshëm të flas publikisht para trupave gjykues, ose edhe publikisht t’i nënshtrohet poligrafisë (makinë që matë ndryshimet fiziologjike, pulsin, nivelin e frymëmarrjes, etj, për të detektuar se a po gënjen personi).

“Kur kriminelët shohin se dëshmitë po vijnë, reagojnë në këtë mënyrë, në mënyrë që të fitojnë mbështetje politike. Sikurse edhe kanë marrë mbështetje politike nga disa media të cilat janë në bashkëpronësi të disa politikanëve”,  tha presidenti serb, kur u pyet për akuzat e ngritura në drejtim të tij.

“Tash vetëm pres që Belivuk të shpallet edhe kandidat për president, dhe Marso Mesar të shpallet kandidat për kryeministër”, ka thënë Vuçiç, raporton Danas.

Vuçiç ka justifikuar veten duke thënë se “këtë histori s’kanë mundur ta trillojë grupi kriminal i Veljka Belikuva-s, por kanë marrë udhëzime nga ‘këshilltari mafioz’”, duke ju referuar një personi emrin e të cilët se ka përmendur.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të ofrojë më shumë hollësi rreth lidhjes së këtyre kriminelëve dhe ‘këshilltarëve mafiozë’.

Komentimi i ekspertit kroat të çështjeve të komunikimit, Kreshimir Macan.

Pas publikimit të transkriptës së dëshmisë të të arrestuarit Belivuk se kishte lidhje me presidentin serb nga gazeta Krik, eksperti kroat i çështjeve të komunikimit Kreshimir Macan, tha se Vuçiç tash po përdor teknika komunikuese të krizave.

“Vuçiç me këtë reagim proaktiv po tregon se e din se cilat janë akuzat e mundshme kundër tij, dhe ka për qëllim të krijojë kornizë komunikimi që i përshtatet atij. Kjo është mbrojtja e tij politike. Duke publikuar foto të tmerrshme, duke i shpallur kafshë, duke e bërë të pamundur që dikush t’u del në mbrojtje, e veçanërisht mediat”, ka thënë eksperti kroat.

“Kjo do të thotë se: nëse luan kundër meje, ose më bëni shantazh, përfundoni kështu, s’ka lidhje sa u duket vetja të fuqishëm”.

Macan thotë se kjo është pikërisht arsyeja se pse ai doli me këso fotosh e dëshmishë të tmerrshme qysh në ditën e parë.

Sipas tij, “kjo është manovra e tij për të krijuar komunikim të krizës”.

“Nëse në rend të parë kjo ishte fushatë frikësimi, kjo edhe diskrediton krejt sulmet që mund të bëhen ndaj tij, sepse kjo të sugjeron të gjykosh se: si mund të kesh të bësh me ‘kafshë’ të tilla. Kjo për opinionin publik është mëse e mjaftueshme. Vuçiçi gjithmonë luan sipas rregullave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore