Lajme

Kosovë: Ligji që pritet të stopojë mashtrimet me projektet komunale


Qeveria është duke draftuar Projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal i cili në vete ngërthen “grantin e katërt”, pjesë kjo e cila i grumbullon në një vend të gjitha fondet e ministrive të linjës, për investime kapitale, në nivelin lokal, të cilat më pas do të ndahen nëpër komuna, varësisht nga kriteret të cilat priten të definohen në vazhdim.

Granti i katërt qeveritar konsiderohet i domosdoshëm për nivelin lokal të qeverisjes. Ai pamundëson ndikimin politik të pushtetit qendror në nivelin lokal.

Ky ndikim shpeshherë është bërë mbi baza partiake dhe etnike duke anashkaluar komuna meritore e në nevojë dhe duke alokuar mjete financiare dhe ekzekutuar projekte në komuna të afërta mbi bazën partiake dhe etnike, por nën emrin e nevojës emergjente të komunave gjegjëse.

Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK), për Albanian Post ka thënë se ky lloj buxhetimi ka qenë kërkesë e tyre që të përfshihet në projektligj.

“Ne po kërkojmë një grant për komuna ku ministritë i derdhin mjetet financiare për projekte kapitale për komuna me një vend”.

Sazan Ibrahimi, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës
Sazan Ibrahimi, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës

Derisa është Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal në draftim, Fidan Kalaja, këshilltar politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal(MAPL) në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se janë komunat dhe asociacioni ato që kanë bërë kërkesë që të futet edhe granti i katërt.

“Projektligji për financim të nivelit lokal, aktualisht është në amandamentim dhe Asociacioni i Komunave dhe Komunat kanë kërkuar që të krijohet njëfarë granti qeveritar, ku ministritë e linjës që i shpërndajnë buxhet komunave ta derdhin apo akumulojnë në atë grant në mënyrë që komunat të kenë kritere të caktuara për aplikim në mënyrë që të mund ta shfrytëzojnë atë buxhet financiar sipas nevojave të tyre”, ka thënë ai.

Ndër të tjera Kala thekson se MAPL është e interesuar të realizoj këtë ide të ardhur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe se prioritet e kanë reformimin e kornizës ligjore përfshi edhe këtë formë të re të buxhetimit në nivelin lokal.

“Prioritet kryesor i ministrisë edhe me planin që kemi dorëzuar në zyrën e kryeministrit, pra planit 4vjeçar të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, prioritet kryesor është reformimi i kornizës ligjore për vetëqeverisje lokale. Këtu hi edhe ligji për financimin e nivelit lokal edhe gjithashtu edhe draftimi i projektligjit të ri për grantin e katërt”, ka thënë Kalaja.

Fidan Kalaja, Këshilltar politik i ministrit të MAPL-së
Fidan Kalaja, Këshilltar i Lartë Politik i ministrit të MAPL-së

Ndërsa, sa i përket funksionalitetit të grantit të katërt si nga AKK, po ashtu edhe nga MAPL, kanë thënë se është më funksional dhe se si i tillë do t’i ndërprente praktikat e deritanishme të financimit të projekteve kapitale dhe do t’i bënte komunat të pavarura nga niveli qendror i qeverisjes.

“Ideja e grantit të katërt do të centralizoj të gjitha fondet që shkojnë për komuna dhe të rritet ky fond për komuna, dhe se komunat të kenë më shumë një lloj pavarësie nga niveli qendror për projektet që ato synojnë”, ka shtuar Kalaja.

Kjo nuk është një ide që do t’i rriste kompetencat karshi nivelit qendror të qeverisjes porse komunat do të bëheshin më të pavarura nga aspekti politik, në mënyrë që t’i iket sa më shumë ndikimit partiak dhe etnik.

“Sakt. Ne po mundohemi që në çdo formë t’i ikim çdo ndikimi politik mbi ndarjen buxhetore për komuna. Pra, me grantin e katërt (me ligjin për grantin e katërt) do të vendosen kriteret profesionale, kriteret e paanshme dhe kriteret të cilat i mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kalaja.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi bën të ditur se në të kaluarën ka qenë praktikë që investimet e projekteve në komuna, nga ministritë e linjës, janë bërë pa ndonjë plan. Tani ky lloj granti sipas tij do të eliminonte në tersi mundësitë e investimeve jo të duhura.

“Ky lloj granti do t’i eliminonte në tersi çështjet e tilla. Ne po kërkojmë që të bëhet ky grant dhe komunat pastaj duhet të bëjnë një studim të fizibilitetit me pa se cilat janë nevojat reale të Komunës”, ka deklaruar ai.

Praktikat e investimit dhe devijimit të projekteve në favor të komunave ku janë qeverisur nga partia(partitë) e cila ka menaxhuar edhe me qeverinë, janë kritikuar në vazhdimësi nga shoqëria civile dhe nga partitë politike opozitare.

Kjo është parë nga ta si një lloj keqpërdorimi në dëm të komunave që udhëhiqen nga subjektet e tjera opozitare apo nga etni të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore