Sport

Kosovë: Komiteti Ekzekutiv i FFK-së diskuton për instalimin e sistemit VAR


Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti mbledhjen e vet të radhës më 4 mars

Mbledhja u mbajt nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku u diskutuan shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.

KE analizoi garat e deritashme të stinorit pranveror duke konstatuar, se përveç disa lëshime të vogla, ka një ngritje të cilësisë së futbollit në vend.

Gjithashtu ata janë të kënaqur edhe me rivalitetin e mirë të skuadrave në suazat e “Fair-paly”-it.

KE analizoi edhe punën e deritashme të komisioneve, dhe kërkoi nga to që të jenë në nivel të detyrave dhe syçelë në punën e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e garave të futbollit.

Ata diskutuan edhe për përgatitjet që sa më parë të instalohet në stadiumet e Kosovës sistemi “VAR”, gjë që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave futbollistike.

KE gjithashtu iu bënë thirrje edhe njëherë klubeve dhe personave zyrtarë në ndeshje, që në përpikëri t’i zbatojnë  masat e udhëzimit të IKSHPK-së për Covid 19.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për përkrahjen në zhvillimin e futbollit të femrave që do të reflektonte dhe në ngritjen e Kombëtareve. Kështu që FFK-ja me një Projekt që e ka miratuar edhe UEFA do të vazhdojë mbështetjen e klubeve të femrave.

Këshilli Ekzekutiv gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi raportin e Auditorit të pavarur dhe pasqyrat financiare për vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore